Gjysma e drejtuesve të automjeteve në Shqipëri bëjnë shkelje të rënda në sigurinë rrugore, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të kalimtarëve.

Të dhënat janë matur nga një projekt i financuar nga Banka Botërore, ku konstatohet se 70% e shoferëve shkelin normat e shpejtësisë, 25% nuk vendosin rripin e sigurimit, 38%  mbajnë fëmijët në sediljen e parë dhe 52% e këmbësorëve nuk kalojnë në vijat e bardha.

Mitat Tola, drejtor i Policisë Rrugore, tha se tabloja e paraqitur në këtë anketim është ajo me të cilën policia përballet çdo ditë në rrugë. Ai paralajmëroi ndëshkim edhe për këmbësorët që nuk respektojnë sinjalistikën.

Ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur auditimin e të gjithë projekteve në rrugë të cilat kanë përfunduar, në mënyrë që të shihet nëse kompanitë i kanë dorëzuar ato me sinjalistikën e saktë.

Aktualisht Autoriteti Rrugor është duke bërë edhe evidentimin e pikave të zeza në rrugë, të cilat për shkak të sinjalistikës dhe problematikës së ndërtimit janë kthyer në burime aksidentesh gjatë kohëve të fundit.

Në bazë të sondazhit, 3 shkaqet kryesore të aksidenteve që ndodhin në Shqipëri janë për shkak të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit dhe amortizimit të automjetit.

Tv Klan