Vettingu ka përgjysmuar numrin e prokurorëve

Në më pak se 6 muaj në Prokurorinë e Tiranës u regjistruan 8 mijë e 663 kallëzime penale, me një mesatare prej afro 70 kallëzimesh në ditë, teksa numri i prokurorëve në detyrë është 46 nga 80 që duhet të ishte sipas organikës.

Prokuroria më e madhe në vend që zë edhe peshën më të madhe të çështjeve hetimore, si çdo institucion i sistemit të drejtësisë, është prekur nga vettingu.

Numri i çështjeve për prokurorë që duhet të verifikohen dhe hetohen është akoma më i madh se kallëzimet e regjistruara, duke shtuar edhe dosjet që mbeten bosh pas shkarkimeve dhe rishpërndahen me short elektronik. E gjithë kjo përkthehet në vonesa të hetimeve.

Në një koment për televizionin Klan, Prokuroria e Tiranës tha po përballet me mungesën e prokurorëve në çdo seksion hetimor.

Emërimet e fundit të bëra nga KLP në këtë prokurori, datojnë që në 27 Prill të vitit të shkuar, me 6 prokurorë të rinj.

Një pjesë e vakancave nuk mund të plotësohen për shkak se magjistratët e shkarkuar në shkallë të parë nga vettingu konsiderohen të pezulluar deri në vendimin e Apelit.

Tv Klan