Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka venë në pranga një efektiv policie në flagrancë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se në pranga është vënë efektivi Alkid Ndreu, 47-vjeç, me detyrë specialist i Policisë Rrugore dhe anëtar i Komisionit të Gjobave në varësi të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Pas disa ditësh hetime nga AMP u zbulua se 47-vjeçari Ndreu kishte marrë përmes një sekseri një shumë prej 70 mijë lekësh, për t’i dhënë një qytetareje patentën që e kishte të bllokuar me një afat 3 mujor. Duke iu referuar burimeve, gazetari thotë se hetimet nisen në rrugë operative nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e ndërsa dosja është referuar në Prokurorinë e Tiranës.

Qytetarja me iniciale B. D. kishte të bllokuar lejen e drejtimit nga data 24 nëntor deri më 17 shkurt të vitit 2023. Por përmes ryfshetit ka arritur që ta marrë lejen e saj të drejtimit. Në pranga ka rënë gjithashtu Eduart Caka nga Kruja i cili përmes njohjeje ka marrë shumën e parave nga shtetasja B.D dhe ia ka dhënë efektivit Ndreu. Caka akuzohet për korrupsion pasiv dhe ushtrim i ndikimit tek personat me funksione publike. Në gjendje të lire, por e përballur me të njëjtat akuza ndodhet edhe shtetasja B.D.

Gazetari thotë se hetimet për këtë rast janë duke u ndjekur edhe për një tjetër punonjës policie anëtar i komisionit. Gjithashtu është sekuestruar edhe Kartoteka e Komisionit të gjobave për t’u verifikuar afro 2 mijë leje drejtimi, për të verifikuar nëse ka pasur ose jo abuzime edhe me raste të tjera./tvklan.al