Disa vende ballkanike janë në alarm nga përhapja me shpejtësi e gripit të derrit, që i ka marrë jetën 72 personave dhe ka prekur qindra të tjerë. Më alarmante situata është në Rumani ku prej fillimit të këtij muaji, virusi A H1N1 i ka marrë jetën 54 personave. Autoritetet janë në prag të shpalljes së gjendjes së epidemisë gripale, ndërsa shumë shkolla kanë pezulluar mësimin. Ministrja e Shëndetësisë u përpoq të qetësojë opinionin publik.

“Nuk besoj se është rasti për të përhapur panik. Është një sëmundje sezonale”.

Sipas autoriteteve, viktimat janë persona që kanë pasur të tjera probleme shëndetësore që gripi ua ka thelluar. Ka pasur edhe nga ata që kanë qenë të pavaksinuar. Viktima janë regjistruar edhe në Bosnje, Greqi e Mal të Zi.

Gripi i derrit është një sëmundje respiratore që prek edhe njerëzit. Përhapet nga kollitjet, teshtitjet dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në ambiente me njerëz të infektuar. Simptomat janë temperatura e lartë mbi 39 gradë Celcius, dhimbja e kokës, muskujve, kolla, djegia e syve, të vjellat, etj.

Tv Klan