Qeveria zyrtarizon emetimin e obligacionit me vlerë mbi 100 milion Euro

Vetëm për muajin Mars të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë krijuar një gropë prej 73 milion Euro në buxhetin e shtetit për shkak të tkurrjes së tregtisë dhe bllokimit të shumë aktiviteteve ekonomike.

Burime zyrtare bëjnë me dije për televizionin Klan se të ardhurat nga tatimet për muajin Mars ranë me 50 milionë euro krahasuar me planin, ndërsa nga doganat tkurrja është 23 milion euro.

Në këto kushte, qeveria do të financojë buxhetin me borxh dhe duke shkurtuar disa shpenzime. Ministria e Financave ka shpallur ankandin për emetimin e një obligacioni 2-vjeçar me vlerë nga 100 deri në 120 milionë euro, një nismë që ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë të zgjuar, në kushtet që tregjet e huaja në këto kohë japin kredi me interesa të larta.

“Ne kemi për të matuar një Eurobond të vjetër dhe është më mirë të gjejmë borxhin në euro në tregun e brendshëm se jashtë, sepse në këto kohë investitorët e huaj e shohin me risk të lartë një vend si Shqipëria”, tha Arjan Kadareja, ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ekspertët e shohin si një nisëm pozitive edhe shpalljen nga ana e bankës qendrore të nisjes së politikës të lehtësimit sasior nëse skenari i krizës do të rëndohet.

“Çon sinjal në tregje që banka ndërhyn, dhe e ka ligjore këtë ndërhyrje, çliron hapësirat për marrjen e borxhit madje përfitohet me interesa më të ulëta”.

Politika e njohur si “quantitative easing” i jep të drejtë Bankës së Shqipërisë të blejë një pjesë të borxhit afatshkurtër të qeverisë, duke çliruar nivelin e tij dhe lejimin e saj që të rritë huamarrjen nëse duhen para për të paketa ndihme në këtë periudhë pandemie.

Tv Klan