Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, vetëm disa muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kryeministri britanik i kohës së luftës, Winston Churchill paralajmëroi për rritjen e ndikimit të Bashkimit Sovjetik në Evropën Lindore. “Nga Shteçini (Szczecin) në Baltik e deri në Trieste në Adriatik, një Perde e Hekurt ka zbritur në të gjithë kontinentin”, paralajmëroi ai në atë kohë.

Një kolegj i vogël në shtetin amerikan Mizuri po përgatitet të festojë 75 vjetorin e fjalimit të Kryeministrit britanik Winston Churchill, “Perdja e Hekurt”, në të cilin ai paralajmëroi shtrirjen e komunizmit nga ish-Bashkimi Sovjetik, që solli kështu epokën e Luftës së Ftohtë.

Presidenti i Kolegjit Westminster, Franc L. McCluer, e ftoi Çurçillin të fliste në kolegj në fund të vitit 1945.

Më 5 mars 1946, vetëm disa muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Çurçilli mbërriti, i shoqëruar nga Presidenti amerikan Harry Truman, i cili ishte vetë nga shteti Mizuri.

Gjatë fjalimit së tij, të titulluar “Indet e Paqes “, Çurçilli paralajmëroi se udhëheqësi sovjetik Josif Stalin po zgjeronte kontrollin e tij komunist në të gjithë Evropën Lindore dhe Qendrore, duke ngritur kështu alarmin për botën perëndimore që ende po rimëkëmbej nga lufta.

“Nga Shteçini në Baltik, deri në Trieste në Adriatik, një perde e hekurt ka zbritur në të gjithë kontinentin”, tha zoti Çurçill.

Pak më shumë se një vit më parë, me Luftën e Dytë Botërore që po përfundonte, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë u takuan për të planifikuar të ardhmen e Evropës së pas luftës dhe për të përshpejtuar përfundimin e konfliktit në Paqësor.

Udhëheqësi sovjetik Stalin pranoi të hynte në luftë për të ndihmuar në mposhtjen e Japonisë perandorake. Presidenti Franklin D. Roosevelt dhe Çurçilli lejuan ndikimin sovjetik mbi zonat që Rusisë ia mori Japonia dekada më parë.

Fillimisht e përshëndetur si një sukses i madh, konferenca më vonë u konsiderua nga shumë njerëz si momenti që Shtetet e Bashkuara u lejuan ndikim të tepruar sovjetikëve.

Në fjalimin e tij në Mizuri, Çurçilli paralajmëroi për rritjen e ambicieve sovjetike, një mesazh që nuk u prit mirë në Moskë, thotë Ivan Kurilla, profesor historie në Universitetin Evropian në Shën Pjetërburg.

“Autoritetet Sovjetike, Stalini personalisht, Molotovi dhe udhëheqës të tjerë të Bashkimit Sovjetik ishin shumë të mërzitur (për fjalimin) dhe ata menduan se Çurçilli kishte shpallur në të vërtetë një kryqëzatë të re kundër Bashkimit Sovjetik. Autoritetet sovjetike menduan se Çurçilli shpalli në të vërtetë një të ardhme në të cilën Bashkimi Sovjetik do të shkëputej nga bota perëndimore dhe nga ajo që ende nuk ishte vendosur por që do të vijonte, si krijimi i aleancave dhe planit Marshall për Perëndimin dhe asgjë nga kjo nuk do të ishte e disponueshme për Bashkimin Sovjetik. Kështu që të gjitha së bashku, dhanë përshtypjen e parë se Bashkimi Sovjetik do të ishte i vetëm në përpjekjen e tij për të rimëkëmbur ekonominë ruse”, thotë profesor Kurilla.

Kina dhe Bashkimi Sovjetik janë parë gjithnjë e më shumë nga Perëndimi si një kërcënim komunist.

Profesor Kurilla thotë se fjalimi i Çurçillit paralajmëroi Luftën e Ftohtë dhe perden prej betoni që u ndërtua në Berlin në 1961.

Gjermania u nda në pjesën perëndimore kapitaliste dhe lindjen komuniste pas Luftës së Dytë Botërore.

“Ishte një profeci që pasqyroi atë që ndodhi pas fjalimit. Nuk mund të them se në pranverën e vitit 1946 ajo ishte tashmë Perde e Hekurt, kur linjat nuk ishin të forta, nuk ishin vendosur njëherë e mirë”, thotë profesor Kurilla.

Më 13 gusht 1961, trupat e Gjermanisë Lindore filluan të mbyllnin sektorin lindor të Berlinit me tela me gjemba dhe postblloqe, për të filluar ndërtimin e Murit të Berlinit.

Vetë muri ishte gati 3.6 metra i lartë, dhe kufiri gjithashtu ruhej nga qindra kulla vrojtimi, llogore kundër automjeteve, bunkerë, tela me gjemba, gardhe sinjalizuese dhe pengesa të tjera.

Shumë u përpoqën ta kalonin atë. Disa patën sukses, të tjerët u kapën ose u vranë.

Versioni përfundimtar i murit u ndërtua në 1975 dhe përshkonte 150 kilometra përqark Berlinit Perëndimor.

Muri vazhdoi të qëndrojë deri në 1989.

“Dita e Unitetit” është festë kombëtare gjermane që shënohet më 3 tetor – data në vitin 1990 që ribashkimi gjerman u përmbush pas rënies së Murit të Berlinit.

Për shkak të kufizimeve ndaj COVID-19 përkujtimi më 12 mars në Kolegjin Westminster në Fulton zhvillohet këtë vit virtualisht me paraqitjen e një dokumentari dhe një ekspozite të re nga Muzeu Kombëtar Amerikan për Çurçillin./VOA