Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ka prezantuar në Parlamentin Evropian buxhetin e ardhshëm 7 vjeçar të Bashkimit Evropian në vitet 2021-27, në shifrën e 1.85 trilionë euro, si dhe fondin e rimëkëmbjes nga Covid-19 rreth 750 miliardë euro. Komisioni e ka quajtur planin ‘Gjenerata e ardhshme e BE’. 

Gjermania dhe Franca pranuan që të rritet borxhi i përbashkët evropian në përpjekje për të mbështetur rikuperimin ekonomik nga kriza e koronavirusit.

Në buxhetin e propozuar prej 1,1 trilionë eurosh përfshihen edhe fondet për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për një fond prej 750 miliardë eurosh për instrumentin e rimëkëmbjes, ku 500 miliardë do të jenë në formë grantesh që do të ndihmojë këto shtetet evropiane për të ringritur ekonomitë e tyre dhe 250 miliardë në formë huash.

Për sa i përket ndihmës që përfiton Shqipëria, ashtu si edhe vendet e rajonit, veç atyre shifrave që i njohim dhe ishin një përgjigje emergjente për përballimin e situatës gjatë pandemisë, që ishin rreth 3,3 miliardë euro, pritet edhe paketa ekonomike dhe ajo e investimeve që KE do të paraqesë në Shtator.

Disa vende si Austria, Holanda, Danimarka, Finlanda dhe Suedia janë kundër marrjes së borxhit për vendet e tjera. Eurodeputetët bënë thirrje që shuma buxhetore të shkojë në 2 trilionë euro, pas rënies ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Në Shkurt, disa vende të BE kërkuan të mbahet një buxhet më modest, tashmë që një kontribuues neto, Mbretëria e Bashkuar, nuk do të paguajë më.

Klan Plus