Idrizaj: Përveç dijeve bazë, ofrohet edhe formimi profesional

Ky është Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë në Tiranë i cili këtë vit ka të regjistruar nga klasa e para deri në të 11, 76 nxënës të kësaj kategorie. Sipas drejtores së Institutit, Orjola Idrizaj ky institucion ofron mundësinë e edukimit për nxënës nga i gjithë vendi.

“Këtë vit të ri shkollor janë regjistruar 76 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e njëmbëdhjetë sepse ju e dini që vitin që shkoi u hap për herë të parë gjimnazi pranë institutit tonë që është me drejtim teknologjie dhe TIK. Vjet kishim dy klasa të 10-ta, sot kemi dy klasa të 11-ta që janë në vijimësi. Insituti ynë është institute kombëtar dhe këtu vijnë nxënës nga  e gjithë Shqipëria, nxënës që nuk degjojnë dhe që kanë probleme probleme me të folurin.”

Përveç dijeve bazë ky institut u siguron nxënësve konvikt, por edhe mundësinë e formimit profesional.

“E mira është se ne ofrojmë fjetoren në institut, gjithashtu edhe mensen dhe çdo gjë është e ofruar falas nga shteti. Një avantazh për këta nxënës është që krahas lëndëvë që bëjnë në shkollë ata marrin formim edhe profesional që është në rrobaqepësi, zdrukthtari dhe parukeri estetikë. Marrin bazat e këtyre tre profesioneve që pastaj edhe u mundëson mbarëvajtjen në jetën e tyre më pas.”

Trajtimet me specialistet përkatës janë gjithashtu në fokus të Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë.

“Janë shumë shërbime që ofrohen nga instituti sepse instituti ofron edhe terapi të ndryshme pasi ne kemi psikolog, logopede që merren me këto fëmijë. Sfida më e madhe për ne është ndërgjegjësimi i prindërve në të gjithë Shqipërinë që fëmijët që nuk dëgjojnë të vijnë në një institut që është i specializuar dhe është krijuar posaçërisht për ta.”

Falë bashkëpunimit me donatorë vendas dhe të huaj, për një pjesë të nxënësve të kësaj kategorie sigurohen falas edhe aparate dëgjimi.

Klan News