Sot më 8 Dhjetor, në Ditën e Rinisë, Presidenti Ilir Meta thotë se demokracia e vendit nuk negociohet por vetëm mbrohet me çdo kush.

Në një postim në Facebook, kreu i shtetit u bën thirrje të rinjve që të marrin në dorë drejtimin e proceseve demokratike të Shqipërisë.

Presidenti nuk lë pa përmendur as Azem Hajdarin për udhëheqësin e Lëvizjes Studentore në Dhjetor të ’90, duke vlerësuar veprën e tij.

Me mijëra të reja e të rinj shqiptarë, të organizuar vullnetarisht brenda e jashtë vendit që në momentet e para të tërmetit tragjik të 26 Nëntorit, po udhëheqin kauzën e solidaritetit për banorët e prekur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore e pabesë që goditi vendin. Përpjekjet e tyre të palodhura për mbledhjen e ndihmave materiale, fondeve dhe shërbimeve që po i ofrojnë komunitetit ditë-natë, janë sa emocionuese, po aq frymëzuese, dhe shembulli më konkret i Shqipërisë njerëzore për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë. Ndaj sot me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, dua të falenderoj me mirënjohje të thellë, emër për emër, çdo vajzë e djalë, që shërben si vullnetar në shërbim të komunitetit. Jeni të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm! “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Demokracia nuk negociohet, por vetëm mbrohet dhe me çdo çmim”, shkruan Presidenti.

Ilir Meta kishte planifikuar më herët që sot më 8 Dhjetor të organizonte takim me të rinjtë në Qytetin Studenti, aty ku nisi dhe lëvizja studentore gati 30 vite më parë, për të “mbrojtur demokracinë”, sikurse ishte shprehur.

Takimi me të rinjtë ishte paralajmëruar për t’u organizuar në një kohë kur mes tij dhe Qeverisë kishte përplasje për Gjykatën Kushtetuese. Por fatkeqësia nga goditja e tërmetit më 26 Nëntor, bëri që Presidenti Ilir Meta të anulonte këtë takim. /tvklan.al