8 drejtorë në 10 muaj në Kadastrën e Vlorës



8 drejtorë në 10 muaj në Kadastrën e Vlorës

17:00 13/07/2020

Emërohet drejtuesi i tij. Lame: Do t’u japim fund problemeve

Ani Binaj është drejtori i tetë i Kadastrës së Vlorës në 10 muaj. Pa shpjeguar arsyet e largimeve apo dorëheqjeve të drejtorëve të mëparshëm, Artan Lame e pranoi problematikën në këtë Kadastër dhe premtoi se ajo do të marrë fund.

“Në kuadër të ristrukturimit të kadastrave bregdetare, më duhet ta pranoj që ristrukturimi i Kadastrës Vlorë ka qenë më problematiku. Për fat të keq Vlora po paguan kusuret e 30 viteve në papërgjegjshmërinë e pronave. Sikurse jeni në dijeni, Agjencia Shqiptare e Kadastrës ka filluar procesin e regjistrimit fillestar për të gjitha zonat kadastrale të mbetura. Drejtori i ri i Kadastrës Vlorë, së shpejti do të ketë në dorë rezultatin e këtij procesi, për ta vënë atë në dispozicion të qytetarëve dhe biznesit. Por pavarësisht procesit të regjistrimit fillestar, detyra kryesore e tij do të jetë ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve në kohë dhe me cilësi duke përmirësuar ndjeshëm mangësitë që mund të jenë krijuar gjatë këtyre kohëve”.

Drejtori i sapoemëruar do të zëvendësojë Jurgen Pilkapin, i cili përsëriti historinë e dorëheqjeve duke u larguar vetëm 15 ditë pasi mori detyrën. Largimet nga Kadastra e Vlorës filluan në Shtator 2019.

6 drejtues kanë dhënë dorëheqjen me motivimin për arsye personale, ndërsa Viola Hima e deleguar përkohësisht, qëndroi vetëm 4 ditë në këtë post.

Tv Klan




Të ngjashme