Tetë anëtarë të forcave speciale elitë të Britanisë së Madhe luftuan me më shumë se 100 xhihadistë të ISIS gjatë një sulmi në Afganistan. Ushtarët shkuan për të ndihmuar një familje afgane pasi makina e tyre shpërtheu nga një bombë. Trupat e kësaj elite refuzuan urdhrin për të braktisur familjen pasi një prej prindërve u vra dhe një vajzë e mitur u plagos rëndë. Ata luftuan kundër xhihadistëve për 6 orë, raporton britanikja “Daily Star”.

Ekipi prej 8 anëtarësh të forcave speciale kishte edhe një mjek të stërvitur për situata të tilla. Teksa ai mjekonte vajzën e plagosur, ushtarakët vazhdonin luftimet me xhihadistët, deri sa arritën të shpëtonin gjatë natës dhe të zhvendoseshin në një kompleks të braktisur. Për shkak edhe të pajisjeve që zotëronin, më pas mund të arratiseshin gjatë natës pa u vënë re.

Kjo njësi britanike quhet SBS dhe është përfshirë në shumë operacione në Afganistan që prej vitit 2001 pasi u sulmuan kullat binjake në SHBA. Deri në vitin 2014, pothuajse të gjitha trupat luftarake britanike ishin tërhequr nga Afganistani. Megjithatë, shumë prej tyre janë dërguar sërish gjatë 12 muajve të fundit pas kërkesës së Presidentit amerikan dhe NATO-s për të luftuar kërcënimin që vjen nga ISIS dhe grupe të tjera terroriste. /tvklan.al