8 Marsi shënon një ditë feste për nënat, gratë dhe vajzat, por edhe protestë kundër dhunës ndaj tyre. Gazetarja e Klan News Ermelinda Hoxhaj raportoi nga sheshi “Nënë Tereza” mëngjesin e sotëm, atje ku është vënë për të disatin vit tashmë instalacioni i këpucëve të kuqe.

Hoxhaj u shpreh se ky është një mesazh i përbashkët i shoqërisë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave për të gjitha jetët e humbura.

Sipas gazetares, krahas njerëzve që u dhurojnë lule sot më të shtrenjtave të tyre, në orën 12:00 do të zhvillohet një protestë sensibilizuese.

Kujtojmë se ky muaj trokiti në mënyrën më të dhimbshme, pasi në ditën e parë të tij 3 gra mbetën të vrara, njëra prej të cilave po priste dhe një fëmijë.

Ideja e këpucëve të kuqe daton vite më parë, kur artistja meksikane Elina Chauvet filloi instalacionin “Los Zapatos Rojos” në nder të motrës së saj, që humbi jetën si pasojë e dhunës në familje. Prej vitit 2009, këpucët e kuqe kanë qenë një simbolikë e rëndësishme ndërkombëtare./tvklan.al

Rama uron 8 Marsin: Këtë vit nënave të papuna me 3 e më shumë fëmijë do u paguhen sigurimet

Me një foto mjaft të bukur, Kryeministri i vendit Edi Rama ka uruar mëngjesin e sotëm të gjitha nënat, gratë dhe vajzat për festën e 8 Marsit.

Rama shkruan se këtë vit, nënat e papuna me tre ose më shumë fëmijë do të kenë sigurimet e paguara nga shteti.

Mirëmëngjes! Gëzuar “8 Marsin” me risinë që këtë vit e në vijim nënave të papuna me tre e më shumë fëmijë, sigurimet shoqërore e shëndetësore u paguhen nga shteti pas Këshillimit Kombëtar, ku shumica dhanë pëlqimin e tyre për këtë risi”, shkruan kreu i ekzekutivit në Facebook.

8 Marsi, Begaj: Gratë janë shtylla që mbajnë familjen dhe çojnë përpara shoqërinë

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka uruar këtë të Mërkurë nënat, gratë dhe vajzat për festën e 8 Marsit.
Krahas fotos së trëndafilave që janë dhe simbol i kësaj dite, Begaj shkruan se gratë e vendit janë shtyllat që mbajnë në këmbë familjen dhe çojnë përpara shoqërinë.

Gratë e mrekullueshme të këtij vendi, janë shtyllat që mbajnë në këmbë familjet dhe çojnë përpara shoqërinë. Nderimi dhe falenderimet për to janë për të gjithë jetën! Unë dhe Armanda ju përcjellim të gjitha grave shqiptare urimet më të mira në këtë ditë! Gëzuar Ditën tuaj nëna, motra, bija!”, shkruan në Facebook Kreu i shtetit.

Edhe Kryeministri i vendit Edi Rama ka uruar festën e 8 Marsit me lajmin e mirë se nënat e papuna me 3 fëmijë e më shumë do t’i kenë sigurimet e paguara prej shtetit.

Berisha uron 8 Marsin: Mirënjohje të pakufijshme nënave, grave, motrave, vajzave tona

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka uruar të gjitha gratë për 8 Marsin.

“Të dashur miq, le të ju urojmë sot së bashku, nënave, grave, motrave, vajzave tona më të mirave, më fisnikeve e më të bukurave të familjeve, shoqërisë dhe kombit tonë një urim nga thellësitë e zemrës dhe të shprehim mirënjohje të pakufijshme për gjithçka ato kanë bërë dhe bëjnë për ne, familjen dhe kombin tonë. Gëzuar!”, shkruan Berisha në një postim në rrjetet sociale.

“Sot, thirrjes për ndihmë të një gruaje i përgjigjet një grua”, urimi i veçantë i Policisë së Shtetit për 8 Marsin

Gjysma e artë e vlerave, vitalitetit, potencialit, kontributit dhe shtyllave mbi të cilat qëndron shteti, simbolizohen me gruan”, kështu shprehet Policia e Shtetit në një urim drejtuar grave në këtë 8 Mars.

“Policia e Shtetit ka qenë dhe vijon të mbetet garante dhe promovuese e këtij parimi që udhëheq të drejtat dhe liritë e njeriut. Për organizatën, prania e gruas i jep vlerë të shtuar misionit për siguri publike, fisnikëron shërbimin e Policisë në çdo skaj të vendit, si dhe vesh me humanizëm imazhin institucional të Policisë së Shtetit. Sot, thirrjes për ndihmë të një gruaje i përgjigjet një grua, e cila falë meritokracisë dhe profesionalizmit, jep kontributin e saj në hallkat më të larta të Policisë së Shtetit”, thuhet në mesazhin e Policisë së Shtetit.

“Policia e Shtetit uron GËZUAR 8 MARSIN dhe zgjat dorën e bashkëpunimit, për të trajtuar me prioritet dhe kujdes, çdo rast kur e përfshirë është një grua”, e mbyll urimin ky institucion. /tvklan.al