Thuajse 24 orë pas shpërthimit me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, policia njoftoi arrestimin e 8 të dyshuarve. Gjithashtu, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla njoftoi edhe sekuestrimin e armatimit, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë të shtunën.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut. Për këtë ngjarje autoritetet kosovare akuzuan Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut, ministri Sveçla tha se shpërthimi, është më i rëndi ndaj infrastrukturës jetike të vendit që pas luftës.

“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste…synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.

Autoritetet e sigurisë së Kosovës, përfshirë Agjencinë për Inteligjencë (AKI), kanë kryer një operacion të gjerë të shtunën në 10 vendbanime, shtoi ministri.

“Kontrolli ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali armësh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake. Këto do të shërbejnë si dëshmi për këto akte kriminale”, tha Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës, tha se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, për ta kryer këtë sulm terrorist dyshohet se janë përdorur një sasi e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë. Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha Hoxha.

Hoxha tha se shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha, duke bërë që furnizimi me ujë të pijshëm të ndërpritet në shumë zona dhe lokalitete.

Nga sistemi ujor Ibër-Lepenci, furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, si dhe Prishtina me rrethinat, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve. Autoritetet kosovare njoftuan të shtunën pasdite se uji i Ibër-Lepencit është nuk është i pijshëm, ndërsa furnizimi me energji mbetet i qëndrueshëm.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri përgjegjëse Serbinë për “sulmin kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “të dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Klan News