149 pacientë të shtruar në spitale

8 qytetarë të tjerë të moshave nga 51 në 91 vjeç nuk e fituan dot betejën me koronavirusin në vendin këtë të shtunë duke e çuar në 3085 numrin total të jetëve të humbura që prej nisjes së pandemisë. Tre prej tyre ishin nga Tirana, dy nga Fieri, një nga Tropoja, një nga Bulqiza dhe një nga Durrësi.

Të larta mbeten edhe infektimet. Kështu, nga 2,657 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 405 qytetarë, ose thënë ndryshe në çdo 7 persona të dyshuar është konfirmuar me covid-19 një prej tyre. Rastet e reja janë zbuluar në 48 bashki, por Tirana kryeson listën me 152 infektime dhe pas saj vjen Durrësi dhe Fieri me nga 28 raste, Korça me 18, Kamza me 16 dhe Elbasani me 14.

Një situatë më e stabilizuar paraqitet në spitale, ku numri i pacientëve të shtruar është i qëndrueshëm. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se aktualisht po marrin trajtim spitalor 149 pacientë, nga të cilët 15 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 548 qytetarë, ndërsa mbeten edhe afro 7400 raste të tjera aktive me Covid 19.

Tv Klan