Rritet numri i pacientëve në spitale

Thellohet bilanci i koronaviorusit në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se 8 qytetarë të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19, duke çuar në 743 numrin total të viktimave që nga nisja e pandemisë. 4 prej qytetarëve që kanë ndërruar jetë janë nga Durrësi, 2 nga Tirana, 1 nga Fieri dhe 1 nga Kuçova, më i riu mes tyre 48 vjeç.

Situata vijon të paraqitet e vështirë në spitalet Covid, ku numri i pacientëve që po marrin trajtim të specializuar mjekësor është rritur sërish. Aktualisht në 3 spitalet Covid janë shtruar 461 pacientë, 19 në terapi intensive, 7 prej tyre në gjendje mjaft të rëndë të intubuar.

Numri i infektimeve ditore ka pësuar një rënie të lehtë, krahasuar me të dhënat e raportuar të martën. Nga 2.137 testime të kryera në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 644 qytetarë. Harta e shpërndarjes së rasteve të reja është e shtrirë thuajse në gjithë vendin, por ku kryeson Tirana me 258 raste, Fieri me 48 raste dhe Elbasani me 44 raste.

Aktualisht në mbarë vendin janë 17.170 raste aktive.

Tv Klan