Shifrat më të ulëta që prej 25 Nëntorit

Ka shënuar një tjetër përmirësim situata e pandemisë në vendin tonë. Numri i jetëve të humbura brenda 24 orëve nga koronavirusi ka rënë në 8, një shifër kjo që nuk ishte regjistruar më që prej 25 Nëntorit të shkuar. 7 prej tyre janë nga Tirana, ndërsa 1 tjetër nga Librazhdi. Në total numri i jetëve të humbura që prej shfaqjes së pandemisë në Shqipëri ka shkuar në 1074.

Rënie për të disatën ditë me radhë kanë pësuar edhe infektimet ditore. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se nga 2276 testime kanë rezultuar pozitivë me Covid 538 qytetarë. Harta e shpërndarjes së rasteve të reja shtrihet në të gjithë vendin, por Tirana është konfirmuar si vatra më e madhe me 192 raste, e ndjekur nga Shkodra me 45 dhe Durrësi me 38 infektime.

Rënie ka pësuar edhe numri i personave që kanë pasur nevojë për hospitalizim. Sipas raportimit autoriteteve shëndetësore numri i të shtruarve vijon të jetë i qëndrueshëm dhe aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 376 pacientë, 30 në terapi intensive nga të cilët 10 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë në prag të festave të fundvitit ju bën apel qytetarëve të kufizojnë kontaktet, të shmangni grumbullimet dhe të festojnë brenda familjes së tyre të vogël.

Tv Klan