Goxhaj: Të përdoren sinjalizues në shtëpi, qytetarët të mos i rimbushin pranë karburanteve

Rreth 80% e zjarreve në banesa ndodh për shkak të përdorimit të gazit përmes bombolave, që qytetarët i përdorin masivisht për të gatuar dhe për t’u ngrohur.

Me uljen e temperaturave, sipas drejtorit të zjarrfikësve të kryeqytetit Shkëlqim Goxhaj, përdorimi i tyre në këtë periudhë shtohet, çka rrit dhe rrezikun për jetën.

Goxhaj apelon që këto bombola të mos rimbushen pranë pikave të karburanteve.

Për të shmangur ngjarje që sjellin pasoja fatale, kreu i zjarrfikësve në Tiranë rekomandon për qytetarët që të përdorin sinjalizues në shtëpitë ku ka përdorim të gazit të lëngshëm.

Një tjetër problematikë sipas autoriteteve janë oxhaqet metalike. Sipas zjarrfikësve, oxhaqet duhen të ndërtohen me tulla zjarrduruese që nuk e përcjellin nxehtësinë.

Klan News