Shqipëria, e gatshme për dozën e tretë



Shqipëria, e gatshme për dozën e tretë

12:07 15/10/2021

Plan për vaksinimin derë më derë në Tiranë

Shqipëria është gati për dozën e tretë të vaksinës dhe uljen grupmoshës të vaksinimit. Por derisa Komiteti Teknik të japë rekomandimin e mundshëm, vaksinimi me dy dozat mbetet prioritet. Për të koordinuar planin e vaksinimit derë më derë në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pati një takim me kryebashkiakun Erion Veliaj.

“Deri më sot kemi arritur të kemi në vendin tonë, mbi 2 milion e 262 mijë doza vaksine, ndërkohë që kemi siguruar nëpërmjet kontratave që kemi lidhur dhe po lidhim, që deri vitin tjetër të kemi rreth 5 milion doza vaksine të mbërritura, për të garantuar që jo vetëm popullata target +18 vjeç, por edhe për skenarë të tjerë në raport me rekomandimet që do të japë Komiteti i Ekspertëve për dozat e treta, pra dozën buster apo edhe për uljen e fashës së grupmoshës në momentin që ato do të japin, ne jemi të gatshëm”.

Teksa Tirana vitin tjetër do jetë “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, Veliaj tha se e gjithë popullsia duhet të jetë e vaksinuar, pasi të pavaksinuarit nuk do lejohet të marrin pjesë në eventet që do zhvillohen.

“Gjithmonë e më shumë aktivitete do kushtëzohen me vaksinën. Vitin që vjen, kur Tirana do jetë “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, do e kemi taksative nga Brukseli bërjen e vaksinës. Në çdo aktivitet do kërkohet vaksina. Do bëhet e pamundur që të shkosh në aktivitete, sidomos këto që kanë edhe vulë ndërkombëtare, nëse nuk ke  bërë vaksinën. Do jemi në një kontroll të dyfishtë, edhe nga autoritetet vendore, edhe nga ato ndërkombëtare”.

Deri tani në kryeqytet janë në funksion 80 pika vaksinimi.

Tv Klan








Të ngjashme