Kadri Roshi: “Unë jam aktor, dua skenën, dashuroj skenën, i jam kushtuar skenës dhe diçka kam bërë edhe për skenën.”
Këto kanë qenë fjalët e thëna nga goja e të madhit Kadri Roshi, Artist i popullit si dhe nder i kombit në përvjetorin 80-të të lindjes. Për disa dekada me radhë, ai i dha gjithçka skenës dhe kinematografisë shqiptare, i dha talentin, përkushtimin, emocionet e shumta dhe spektatori gjithmonë e duartrokiti dhe e deshi atë.
Me këtë rast, në Teatrin Kombëtar, u organizua një mbrëmje e konceptuar në formën e një takimi midis artistësh dhe miqsh të aktorit të madh Kadri Roshi. Të gjithë treguan diçka nga puna sëbashku me Kadriun si koleg, partner, shok dhe profesorin e dramës e të kinemasë. Jeta e aktorit Kadri Roshi numëron rreth 160 role në skenë dhe në film. Janë me dhjetra dramat apo filmat që kanë mbetur dhe do të mbesin gjithmonë në kujtesën e spektatorit tonë. Kështu ai interpretoi me sukses në rolet dramaturgjike në dramat “Ezopi”, “Hamleti”, “Arturo Ui” duke vazhduar me dramaturgjinë shqiptare si “Alik Shkoza”,” Epoka para gjyqit” etj.
Kadri Roshi luajti në të parin film artistik shqiptar me metrazh të gjatë të titulluar “Tana”, ndërsa në të gjithë filmat e tjerë që ai interpretoi më pas, personazhet e realizuara prejt tij mbetën më të spikatura. Me gjithë flokët e bardhë, ai do t’i japë përsëri skenës dhe kinematografisë, duke përcjellë tek njerëzit fjalën e artit./tvklan.al