Për herë të parë bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa ka reaguar në lidhje me akuzat e Prokurorisë së Posaçme të ngritura ndaj saj.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo shprehet se nuk është e pandehur, por person nën hetim. Ajo e cilëson të gjithë procesin ndaj saj, si një gjyq politik.
“Vonesa e këtij sqarimi të detajuar, lidhet me faktin se unë fustanet dhe bizhutë 800 mijë Euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju, nga mediat. Ndërsa akt-akuzën qindrafaqëshe e kam marrë vetëm pasi jam akuzuar për këtë shifër tromaksëse dhe për një sërë çudirash të tjera, një ditë përpara se të shkoja në sallën e gjyqit”.
E cilëson skandaloze shifrën prej 800 mijë Eurosh që SPAK e akuzon për blerjet e fustaneve dhe bizhuterive.
“Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite 75,025 Euro në total. Unë nuk kam lidhje me imazhin e asaj kukullës me 800 mijë euro fustanë dhe bizhu, sepse punoj si juriste dhe avokate prej 17 vitesh. Punoj edhe si kuratore apo drejtoreshë artistike e vizuale. Blerjet e mësipërme janë kryer me kartën time të kreditit dhe i konsideroj produkte të miat. Unë nuk kam patur kurrë ndonjë çantë Hermes apo Chanel, sikurse është thënë në gjyqin tim publik mediatik”.
Në komentin e gjatë në Facebook, Xoxa pretendon se është trashëgimtare pronash nga familjet e nënës dhe babait të saj.
“Nga familja e babait tim, kemi trashëguar toka, troje, ndërtesa, shtëpi, etj., si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj. Të tëra të ditura kohë e kohë më parë se sa unë të rritesha e të bëhesha bashkëshortja e Erionit”.
Teksa të gjithë procesin hetimor ndaj saj dhe bashkëshortit Xoxa e quan blof të dhunshëm, paralajmëron se do ta dërgojë në Gjykatën e Strasburgut.
Klan News