Rritet sërish numri i të shtruarve në spitale

Vijon të mbetet i lartë numri i viktimave nga pandemia në vendin tonë. Në raportimin e fundit Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se 15 qytetarë të tjerë të moshave nga 43 në 91 vjeç nuk e kanë fituar dot betejën me virusin duke e çuar në 1,582 numrin total të jetëve të humbura që nga shfaqja e pandemisë marsin e vitit të shkuar në vendin tonë. 5 prej tyre janë nga Tirana, 3 nga Elbasani, 2 nga Fieri dhe nga 1 nga Berati, Kavaja, Korça, Lushnja dhe Malësia e Madhe.

Për të dytën ditë radhazi numri i infektimeve ditore është nën 1 mijë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë nga 3842 testime janë konfirmuar si bartës të virusit 801 persona. Harta e përhapjes së virusit edhe për këtë 24 orësh shtrihet në gjithë vendin, por numrin më të madh të rasteve e mban Tirana me 479 infektime, e ndjekur nga Durrësi me 100, Saranda me 59, Shkodra 18 dhe Fieri me 16 raste.

Një situatë e vështirë vijon të paraqitet në spitale ku sërish numri i personave që kërkojnë trajtim të hospitalizuar ka pësuar rritje.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe në dy spitale rajonale po trajtohen 558 pacientë, 38 në terapi intensive nga të cilët 16 pacientë janë të intubuar.

Lajmi pozitiv është se pas shumë kohësh numri i të shëruarve është më i lartë se ai të infektuarve. Sipas raportimit të autoriteteve shëndetësore në 24 orët e fundit arritën ta fitojnë betejën më virusin 1058 qytetarë.

Tv Klan