81 të vdekur nga koronavirusi



81 të vdekur nga koronavirusi

11:20 27/01/2020

OBSH takime me zyrtarët në Pekin

Drejtuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë pritet të zhvillojnë një takim me zyrtarët në Pekin këtë të hënë, për të diskutuar se si të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të koronavirusit që deri më tani i ka marrë jetën 81 personave. Më shumë se 400 të tjerë janë në gjendje kritike, ndërsa gati 3 mijë persona konfirmohen të prekur nga ky virus.

Në përpjekje për të ulur shanset e infektimit gjatë një prej sezoneve më të ngarkuara të udhëtimit në Kinë, zyrtarët njoftuan se festa e Viti i Ri Hënor do të shtyhej të paktën deri më datë 2 Shkurt. Autoritetet kanë rritur gjithashtu masat duke kufizuar udhëtimet nëpër vend.

Të hënën bashkia e Chongqing, që ka një popullsi prej 30 milionë banorësh tha se kishte ndaluar udhëtimet me autobusë, në distanca të gjata. Kjo bashki kufizohet me provincën e Hubei, ku janë shënuar dhe pjesa më e madhe e vdekjeve. Masa të ngjashme njoftoi përgjatë fundjavës edhe Pekini, Shangai dhe provinca lindore e Shandong.

Pezullimi i shërbimit të autobusëve në distanca të largëta, mënyra më e lirë për të udhëtuar, me gjasë pritet të ngadalësojë kthimin e miliona emigrantëve të cilët vizituan familjet e tyre përgjatë vitit të ri hënor.

Zyrtarë të qeverisë shpjeguan se me shtyrjen e fundit të kësaj feste nga e diela në të premten, shpresonin që të ulnin në mënyrë të ndjeshme grupime të mëdha njerëzit dhe të bllokonin përhapjen e epidemisë.

Shumë prej rrjeteve më të mëdha të dyqaneve kineze njoftuan gjithashtu se do të qëndronin përkohësisht të mbyllur, ndërsa disa biznese dhe banka online këshilluan punonjësit që ktheheshin nga provinca e Hubei që të punonin nga shtëpia.

Wuhan, vendi i origjinës së virusit mbetet i izoluar. Pjesa më e madhe e makinave e kanë të ndaluar të lëvizin, ndërsa udhëtimet me tren e avion janë pezulluar.

Qyteti, shtëpi për 11 milionë banorë, u vizitua mëngjesin e së hënës nga Kryeministri kinez Li Keqiang, personi i dytë më i pushtetshëm në vend. Ai u fotografua teksa vizitonte qendrat mjekësore në qytet.

Vizita e tij vjen pas shqetësimeve se spitalet në këtë qytet ishin të tejmbushur me njerëz, kishin mungesë shtretërish dhe pajisjesh. Në përgjigje të krizës, zyrtarët po ndërtojnë 2 spitale të reja.

Mbrëmjen e së dielës, kryebashkiaku i Wuhan tha se parashikonte edhe 1 mijë raste të tjera dhe zbuloi se 5 milionë banorë janë larguar nga Wuhan përpara se qyteti të izolohej. Në mesin e tyre janë njerëz që udhëtuan për shkak të vitit të ri hënor, por edhe njerëz që u larguan për t’i shpëtuar virusit.

Masat e prezantuara të enjten në mëngjes janë pritur me skepticizëm nga ekspertët. Ato u njoftuan disa orë përpara se të prezantoheshin, duke inkurajuar potencialisht përhapjen nëpër vend. Disa i druhen faktit se ashpërsia e masave mund të krijojë zemërim në drejtim të zyrtarëve të shëndetit, në një kohë kur bashkëpunimi i publikut është thelbësor.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH, Dr Tendros Adhanom Ghebreyesus i bëri thirrje Kinës javën e shkuar që masat e izolimit të mos ishin të gjata në kohë.

Dyshime ekzistojnë gjithashtu edhe për masat e marra nëpër aeroporte, pas sugjerimeve se është e mundur që personat e infektuar nga virusi mund të mos shfaqin simptoma./tvklan.al



Të ngjashme