Shtohet numri i të infektuarve, 82 raste në 24 orë

Thellohet bilanci i betejës me koronavirusin në vendin tonë. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën edhe 3 persona të tjerë, duke e çuar në 69 numrin total të viktimave, që nga moment i shfaqjes së pandemisë.

“Fatkeqësisht, një 63-vjeçare nga Tirana, një 65-vjeçar nga Tirana dhe një 60-vjeçar nga Elbasani, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në Spitalin Infektiv, pavarësisht trajtimit në terapi intensive dhe përpjekjeve të stafit mjekësor”.

Krahas numrit të viktimave vijon të rritet edhe numri i të prekurve me Covid. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 368 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 30 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Kavajë, Fushë-Arrëz, 5 në Vlorë, nga 4 raste në Krujë, Durrës, Lushnje, nga 2 raste në Fier, Kurbin, Korçë, Berat, Dibër, Vau i Dejës, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Lezhë, Has, Pukë dhe Rrogozhinë”.

Aktualisht në Spitalin Infektiv po trajtohen 78 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë. Nisur nga përkeqësimi i situatës, Ministria e Shëndetësisë i drejtohet çdo qytetari, të tregojë kujdes të shtuar në çdo ambient, në punë apo ku ofrohen shërbime, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangien e kontakteve dhe apelon për vendosjen e maskës, kur nuk është e mundur të ruhet distanca.

Tv Klan