Ngjan me një ekspozite, por është shtëpia e Emines nga Tirana, apo “e nënës ricikluese”.

“Më njohin si nëna ricikluese që kur kam nisur të merrem me riciklimin”.

Për ne sendet e përdorura hidhen, për Eminen mund të kthehen në art. Me pak kreativitet të ndihmuar nga interneti e ca më shumë vullnet, 82-vjeçarja i jep jetë objekteve të reja.

“Unë i bëj për qejf, për të kaluar kohën, për të sfiduar moshën. Po e pashë një gjë i vendos detyrë vetes që do ta bëj. Mua nuk më shkon dëm asnjë gjë. Ja me këtë telin i kam bërë brirët këtij dashit.”

Pasionin e ka trashëguar nga e ëma rrobaqepëse dhe të mbajtur gjallë që prej kohës kur punonte në Kombinatin e Tekstilit. Emineja kujton një nga punimet e para:

“Shoqet më dhuruan ca rripa me ngjyra dhe unë bëra një bluzë me to.”

Nga punimet me grep e deri tek bizhuteritë, “nëna ricikluese” numëron qindra objekte në koleksionin e saj.

“Kjo është me tapat e shisheve, i kam prerë dhe kam bërë këtë. Nuk e kam për biznes” .

Përmes riciklimit, Emineja sfidon moshën, e të njëjtën gjë i sugjeron moshatareve të saj.

“Ka shume gra që e vuajnë pleqërinë, sikur edhe me shtiza të punojnë, çorape, e ndjen veten të aftë të vlerësuar, unë se vuaj, ndjehem shumë mirë me moshën që kam.”

Tv Klan