◾Zyrtarët e Moskës kanë deklaruar se luftëtarët e fundit që mbronin fabrikën e çelikut të Azovstal janë dorëzuar duke shpallur fitoren e plotë në uzinën Azovstal.

◾Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se 531 trupa ukrainase u larguan nga vendi mbrëmë, por fati i tyre mbetet i paqartë.

◾Rusia ka ndërprerë furnizimin e saj me gaz natyror në Finlandë për shkak të mosmarrëveshjeve pasi vendi nordik ka refuzuar që të paguajë blerjen e gazit rus me rubla.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës: Rusia ka humbur më shumë se 1200 tanke

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në raportin më të fundit pretendon se Rusia ka humbur 204 avionë, më shumë se 1,200 tanke dhe rreth 28,000 luftëtarë që nga fillimi i luftës më 24 Shkurt.

Ndërkohë rajoni i Donbasit në Ukrainë po mban peshën kryesore të dështimeve ushtarake të Rusisë.

Banorët e tyre po terrorizohen. Familjet po ndahen. Njerëzit vriten dhe gjymtohen dhe dhjetëra mijëra vrapojnë për të shpëtuar jetën e tyre.

Dhe të gjitha këto po ndodhin pasi gabimet katastrofike dhe planet e dështuara nga trupat ruse i kanë detyruar ata të ndryshojnë taktikat dhe të rrisin ritmin.

Inteligjenca britanike: Dronët janë të rëndësishëm për Rusinë dhe Ukrainën, por palët po i humbasin

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar përditësimin e fundit të inteligjencës në lidhje me konfliktin në Ukrainë.

Në raport thuhet se dronët po luajnë një rol kryesor për të dy palët, megjithatë po i humbasin ato gjatë kësaj lufte.

Rusia është përpjekur të zbatojë konceptin e “Sulmit të Zbulimit” në bazë të së cilës përdor dronët për të identifikuar objektivat që do të goditen nga avionët luftarakë ose artileria.

Inteligjenca britanike thotë se nëse palët vazhdojnë të humbasin dronët, aftësia e tyre e inteligjencës nuk do të sjellë rezultatet që presin.

Rusia ndërpret furnizimin me gaz në Finlandë

Rusia ka ndërprerë furnizimin e saj me gaz natyror në Finlandë për shkak të mosmarrëveshjeve pasi vendi nordik ka refuzuar që të paguajë blerjen e gazit rus me rubla.

Gazprom i Rusisë ka ndalur eksportet e gazit në Finlandën fqinje dhe importet përmes pikës hyrëse të Imatra janë ndalur.

Muajin e kaluar, Rusia u kërkoi vendeve evropiane të paguajnë për furnizimet me gaz rus në rubla. Kjo masë vjen gjithashtu pas një njoftimi se Finlanda do të aplikojë për anëtarësim në NATO.

Firma shtetërore finlandeze e energjisë  tha se kjo lëvizje ishte për të ardhur keq, por shtoi se nuk do të kishte ndërprerje për klientët.

Pavarësisht konfliktit në Ukrainë, Rusia vazhdon të furnizojë me gaz shumë vende evropiane. Finlanda importon pjesën më të madhe të gazit të saj nga Rusia, por gazi përbën më pak se një të dhjetën e konsumit të energjisë në vend.

Rusia shpall fitoren e plotë në uzinën Azovstal

Zyrtarët e Moskës kanë deklaruar se luftëtarët e fundit që mbronin fabrikën e çelikut të Azovstal janë dorëzuar. Për muaj të tërë, trupat ishin strehuar në fabrikë, duke penguar Rusinë të vendoste kontrollin e plotë mbi qytetin.

Evakuimi i së premtes shënon fundin e rrethimit më shkatërrues të luftës, me Mariupolin tani nën rrënoja.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se qyteti dhe fabrika e çelikut tani janë “çliruar plotësisht” pasi 531 trupa ukrainase u larguan nga vendi.

“Objektet e nëndheshme të ndërmarrjes, ku fshiheshin militantët, u vunë nën kontrollin e plotë të forcave të armatosura ruse”, shtoi ministria në deklaratë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtësit e fundit të mbetur të zonës kishin marrë leje të largoheshin.

“Sot djemtë morën një sinjal të qartë nga komanda ushtarake se ata mund të dalin dhe të shpëtojnë jetën e tyre,” tha ai në një kanal televiziv ukrainas.

REDAKSIA TVKLAN.AL