Tatimet: Këtë vit duhet ta dorëzojnë dhe të dy punësuarit dhe të paguajnë taksën

88 mijë 615 individë që janë të dy punësuar ose realizojnë të ardhura mbi 2 milion lekë të rinj në vit, duhet që të plotësojnë brenda datës 30 prill deklaratën individuale të të ardhurave personale.

Nëse dikush është i punësuar në dy vende me pagë 30 mijë lekë dhe paguan tatim zero, tashmë të ardhurat do të bashkohen dhe do të paguajë 13% për njërën nga pagat për 12 muajt e vitit 2020. Në varësi të pagës, rritet edhe shkalla e tatimit.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve janë 85 974 persona që rezultojnë të punësuar në dy vende gjatë vitit të shkuar, por numri i atyre që kanë dorëzuar deklaratën është shumë i ulët.

“Afati i fundit është 30 prilli, janë edhe dy javë që duhet të dorëzojnë deklaratën. Deri tani ishin vetëm 2500 individë nga 88 mijë që duhet të dorëzojnë këtë deklaratë vjetore.”

Këtë vit tatimet kanë bërë gati përllogaritjet e taksës që duhet të derdhin të dy punësuarit. Ata duhet vetëm të regjistrohen në sistem, të plotësojnë të dhënat dhe të bëjnë pagesën. Në rast se tatimi nuk do të paguhet në afat, do të penalizohen me gjobë, detyrimin tatimor do ta kenë të mbartur dhe do t’i vendoset kamatë për çdo ditë vonesë.

“I kemi të dhënat për të gjithë dhe deklaratën e kanë në sistem. Nëse nuk do të paguajnë në kohë marrin 5 mijë lekë gjobë, plus detyrimin plus kamatën.”

Përveç të dy punësuarve edhe individët që kanë të ardhura mbi 2 milion lekë në vit duhet të deklarojnë të ardhurat nga paga, interesat bankare, shitjet e pasurive apo bonuset që merren në punë.

“Do të paguhet tatimi sipas vlerës së diferencës, nuk duhet të deklarohet vetëm të ardhurat nga qiratë nëse je individ dhe shitjet e aksioneve.”

Subjekte të plotësimit të deklaratës individuale të të ardhurave janë edhe rezidentët shqiptarë që kanë krijuar të ardhura shtesë jashtë vendit. Tashmë tatimet i kanë të dhënat e tyre nga shtetet e tjera në bazë të ligjit për shkëmbimin automatik të informacionit.

Tv Klan