Tifozi, ndoshta më i moshuar i kombëtares shqiptare, është ky person. Prenjo Imeraj, 89 vjeç, ka shkuar në Gjermani nga Nju Jorku vetëm për të parë Shqipërinë. Nipi i tij, Arbeni përshkruan dëshirën e xhaxhait dhe këtë e ka shpërndarë gazetari Blendi Fevziu në rrjetet sociale.

89-vjeçari prej më shumë se 30 vitesh ka emigruar në Amerikë duke ndjekur djalin e tij që u transferua në Nju Jork. E pikërisht pavarësisht moshës ai i ka kërkuar djalit që të shohë ndeshjet e kombëtares në Gjermani.

Do që të përjetojë emocionet që të japin tifozët, festa e tyre, lojtarët kuqezi, këndimi i himnit me mërgimtarët. Kjo është dëshira e tij e fundit, një dëshirë e bërë realitet nga i biri.

“Prenjo Imeraj është 89 vjeç. Ka ardhur nga Nju Jorku për të parë kombëtaren në Gjermani. Ja si e përshkruan dëshiren e tij i nipi, Arben Imeraj:

“Xhaxhai im nga është një mjek në pension. Për më shumë se 30 vjet, si shumë prej nesh, edhe ai emigroi, duke ndjekur djalin e tij që u transferua atje larg, në Nju Jork.

– A do të më çosh në Gjermani?- e pyeti djalin e tij, muaj më parë.

– Për çfarë?

– Do doja të shihja ndeshjet e kombëtares sonë të futbollit”.

– Je 89 vjeç, o ba!

– Pikërisht, nuk kam shumë kohë për të jetuar.

– Por ti nuk ke shkuar kurrë në stadium, nga të erdhi kjo dëshirë? – vazhdon i biri.

– Tani është ndryshe.

– Nuk e përballon dot lodhjen dhe stërmundimin. Udhëtimi i gjatë mund të të dobësojë.

– Përkundrazi, mund të më rigjenerojë. Dua të përjetoj atmosferën që krijojnë tifozët tanë, dua të festoj edhe unë, të shoh nga afër lojtarët tanë, dua të këndoj himnin e flamurit së bashku me mërgimtarët e tjerë, edhe unë. E dua Shqipërinë…

– Kam hallin tënd, baba.

– Është dëshira ime e fundit, bir, ëndrra ime.

Është e pamundur të qëndrosh indiferent ndaj një dëshire kaq të pafajshme e të sinqertë.

– Qoftë e bërë, ba! Do shkojmë në Gjermani!

… futbolli është sporti më i bukur, jep shumë emocione. Jep gëzim, alegri, entuziazëm, lumturi, lot gëzimi.

Por Shqipëria është edhe më e bukur se futbolli. Ajo dhuron veç dashuri.

Forca Shqipëria… forca xhaxhi!”, shkroi Fevziu në rrjetet sociale./tvklan.al