Në një seri anketimesh të bëra javën e kaluar në nivel kombëtar, 49.2% e të anketuarve nuk e miratojnë punën e zotit Biden, përkundër 44.5% që e miratojnë, thotë kompania e anketimeve FiveThirtyEight. Rezultatet e pesë anketimeve të bëra rishtazi nga RealClearPolitics shprehin pakënaqësi, ndërkohë që rezultatet e tre anketimeve janë në favor të zotit Biden.

Analistët thonë se rënia në perceptimin e punës së zotit Biden ka qenë vecanërisht e ndjeshme në radhët e votuesve të pavarur, të cilët e ndihmuan atë të fitojë zgjedhjet vitin e kaluar përballë ish-Presidentit Donald Trump.

Në muajin Korrik, kur u mbushën gjashtë muajt e parë të presidencës së tij, zoti Biden gëzonte një avantazh mbështetjeje prej 9%, por deri në fund të gushtit, anketimet tregonin se votuesit amerikanë ishin të ndarë në perceptimin ndaj punës së tij.

Që atëherë ai ka humbur edhe më shumë terren dhe analistët politikë japin për këtë shpjegime të ndryshme.

Duket se një faktor që ka ndikuar përkon me periudhën e tërheqjes kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani pas 20 vjet lufte, sipas analistëve. Ata gjithashtu përmendin mosmarrëveshjet politike në Uashington mes republikanëve dhe demokratëve për rritjen e tavanit të borxhit, si dhe mes ligjvënësve demokratë progresistë dhe të moderuarve për zgjerimin e rrjetit të sigurisë sociale të vendit pas gati pesë dekadash.

Një ndikim mund të ketë edhe pandemia e Covid-19, pasi numri i infektimeve të reja nga koronavirusi u rrit në shkallë vendi për disa muaj, përpara se të fillonte rënia më rishtazi, megjithëse rreth 70 milionë amerikanë vazhdojnë të jenë të pavaksinuar.

E pyetur për rënien e mbështetje në anketime të Presidentit Biden, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki u tha gazetarëve se “Këto janë kohëra vërtet të vështira për vendin tonë. Jemi ende duke luftuar COVID-in, dhe shumë njerëz, ndër ta edhe ne, mendonim se tashmë do ta kishim kaluar. Nuk ka dyshim se ndikon tek shumë aspekte”, tha ajo.

Klan News