Yuri Kim dhe Luigi Soreca, 9 orë me Këshillin Politik

Megjithëse të mbyllur në rezidencën e ambasadës amerikane, përfaqësuesit e PS, PD dhe LSI i kanë rezistuar për 9 orë presionit për një marrëveshje për rregullat e lojës në zgjedhjet e ardhshme.

Ishte një ditë e gjatë edhe për ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe që iu shtuan Këshillit Politik, që në dalje thanë se kishin arritur progres.

Yuri Kim foli e para.

“Kaluam rreth 9 orë me anëtarët e Këshillit Politik. Ka qenë një ditë e gjatë dhe e vështirë, por është bërë përparim. Ishte e vështirë për të gjitha palët e përfshira. Të gjithëve iu kërkua që të japin në mënyrë që Shqipëria të fitojë. Shqipëria miku dhe aleati ynë është në një fazë kritike të historisë së saj. 25 Marsi ishte një pikë kthese. Ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Europë. Sikurse jeni në dijeni BE ka vendosur një sërë kushtesh që Shqipëria të nisë negociatat. Mes tyre është Reforma Zgjedhore e cila është në përputhje me rekomandimet e ODIHR. Qëllimi ynë sot dhe nesër, sepse do të ritakohemi përsëri nesër është që Shqipëria të përmbushë rekomandimet e ODIHR që të jetë anëtare e BE-së. Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për masa që shkojnë përtej rekomandimeve të ODIHR biem dakord me to. Nëse konsensusi për këto pika të cilat ODIHR-i ka kërkuar nuk arrihet atëherë palët nuk duhet t’i vazhdojnë më këto kërkesa. Duam që Shqipëria të jetë në Europë”.

Edhe Luigi Soreca i Bashkimit Europian nuk hyri në detaje se ku ka mbetur marrëveshja, por kujtoi kushtet e vendosura për integrimin.

“Shumë shpejt Komisioni Europian do të paraqesë kornizën negociuese dhe arritja për reformën zgjedhore do ta bëjë këtë punë më të lehtë për këtë kornizë. Dëshiroj të falenderoj të gjitha palët për qasjen konstruktive. I ftoj të gjithë që të vazhdojnë me të njëjtën qasje dhe nesër. Kemi momentin, le të mos e shpërdorojmë. Para se gjithash është në interes të popullit shqiptar”.

Dankan Norman, megjithëse ambasadori i Britanisë së Madhe që doli nga BE, e quajti të rëndësishme reformën zgjedhore për futjen e Shqipërise në BE.

“Këshilli Politik u krijua për të përfunduar reformën zgjedhore, dhe sot është bërë një përparim i mirë. Por ka shumë punë për t’u bërë. Është thelbësore që ta përfundojmë nesër. Jo vetëm që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin drejt BE, por edhe që votuesit shqiptarë të kenë zgjedhje më të mira herën e ardhshme. Kështu që le ta mbarojmë”.

Është hera e parë që negociatat për një marrëveshje bëhen brenda një rezidence të huaj. Presioni ndërkombëtar është në kulmin e tij, pasi politikanët shqiptarë nuk gjetën dot gjuhën që i bashkon.

Tv Klan