Mosha e pacientëve 45-60 vjeç, shumë pak të shëruar

9 pacientë i janë nënshtruar trajtimit me plazmën konvaleshente, të dhuruar nga personat që kanë kaluar Covid-19. Burime për Televizioni Klan bën me dije se pacientët që i janë nënshtruar terapisë me plazmë janë të moshës 45-60 vjeç dhe shumë pak prej tyre kanë dalë të shëruar nga ky trajtim. Numrin më të lartë të pacientëve të trajtuar me këtë terapi e ka Spitali Universitar Shefqet Ndroqi.

Shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi tha se tashmë janë përcaktuar një grup dhuruesish potencial për këtë trajtim.

“Trajtim që është kompleks, që nuk i takon vetëm një shërbimi, i takon shumë shërbimeve. Jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes për zhvillimin në masë të kësaj. Janë përcaktuar një grup dhuruesish”.

Por a krijon mungesë antitrupash dhurimi i plazmës nga personat që kanë kaluar Covid. Ekspertët thonë se çdo muaj një person humbet një njësi nga antitrupat e Covid-19 dhe dhurimi i gjakut nuk krijon probleme për dhuruesin.

“Nuk është se ne antitrupat i kemi në numër të caktuar dhe ne heqim një numër dhe domethënë pakësohet. Antitrupat zhvillohen vazhdimisht, prodhohen vazhdimisht”.

Por sipas bluzave të bardha, që një person të dhurojë gjak, ai duhet të ketë minimumi 28 ditë pa simptoma të Covid-19. Antitrupat e ndodhura në plazmën konvaleshente lidhen me virusin në trupin e pacientit që është shtruar në spital, duke kufizuar përparimin e sëmundjes.

Plazma konvaleshente ka qenë efikase në përdorimet e mëparshme ndaj viruseve Ebola dhe SARS.

Tv Klan