Shqipëria nuk merr pjesë në Euro 2020, por shqiptarë do të ketë. Në kampionatin Evropian do të marrin pjesë nëntë futbollistë.

Kështu që tifozët shqiptarë përveç përfaqësueseve që historikisht kanë bërë tifozllik, do të kenë mundësinë që të mbështesin edhe lojtarë me origjinë shqiptare të thirrur në dy kombëtare.

Përfaqësuesja ku janë grumbulluar më shumë lojtarë shqiptarë është ajo e Maqedonisë së Veriut. Janë gjashtë futbollistë të thirrur nga trajneri maqedonas Igor Angelovksi.

Të grumbulluar janë Visar Musliu, Egzon Bejtullai, Ezgjan Alioski, Arijan Ademi, Enis Bardhi dhe Ferhan Hasani. Ky i fundit do të ketë me vete të gjithë mbështetësit e Partizanit, duke qenë se është pjesë e “demave të kuq”. Ndërkohë që tri futbollistë të tjerë janë pjesë e Zvicrës.

Kapiteni Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Admir Mehmedi janë nën urdhrat e teknikut të helvetëve Vladimir Petkoviç. Helvetët bëjnë pjesë në Grupin A bashkë me Italinë, Turqinë dhe Uellsin. Kurse Maqedonia e Veriut bën pjesë në Grupin C, ku janë edhe Austria, Holanda dhe Ukraina.

Klan News