capja

Sokol Çapja është viktima e parë e një seriali të gjatë vrasjesh, ku janë përfshirë disa familje në Elbasan.

Ky serial, që numëron 9 viktima, nisi mbrëmjen e 26 Dhjetorit të vitit 2005, në një nga lokalet e njohura në Elbasan, i quajtur “Akuario”.

Sokol Çapja ishte në shoqërinë e dy vajzave, kur tre persona hynë në lokal të maskuar dhe qëlluan me automatik dhe pistoletë, pasi u kërkuan klientëve të tjerë dhe punonjësve të shtriheshin në tokë.

Për këtë ngjarje, policia shpalli në kërkim Dritan Shemen dhe dy miqtë e tij, Gentian Beqirin dhe Armando Hasanin.

Sokol Çapja besohet të jetë vrarë për shkak të një konflikti që kishte patur me Dritan Shemen, shokun e tij me të cilin kishte qëndruar edhe në Itali.

Familjarët e Sokol Çapes do të akuzonin dajën e Dritan Shemes, si organizator të vrasjes, pasi ai kishte premtuar se do ta shuante sherrin mes tyre.

Për këtë arsye besohet se në vitin 2006 ish – polici rrugor, Fadil Mema u plagos në një atentat.

I dyshuar për këtë ngjarjes ishte Florenc Çapja, nipi i biznesmenit të vrarë, por kjo nuk u provua.

Fadil Mema largohet nga Shqipëria, por në 28 Maj të vitit 2006 në autoshkollën, që ai kishte në pronësi vritet kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Ngjarja mbeti pa autor.

Në 26 Tetor 2006, në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, do të vritej në një atentat Dritan Sheme, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapes. Edhe kjo ngjarje mbeti pa autor.

Zixhiri i atentateve vazhdon. Në vitin 2009 në Itali, Fadil Memës i bëhet një tjetër atentat në një sallë bingoje në zonën e Moncalieri. Ai arrin të shpëtojë.

Në 15 Gusht 2012, në Elbasan vritet Gentian Beqiraj, i njohur ndryshe si Ardian Meta, i cili ishte kapur në vitin 2006 në përpjekje për t’u larguar drejt Greqisë. Ai u ekzekutua në banesën e tij, ku gjendej i paralizuar dhe në arrest shtëpie, i ruajtur nga dy policisë. Babai i Gentianit, Nezir Beqiraj mbeti i vdekur si pasojë e një infarkti.

Tre vjet më vonë, më 13 Mars 2015 në Torino vritet Fadil Mema. Dy persona e qëlluan me 7 plumba sapo doli nga banesa e tij për të shkuar në punë, në shpërndarjen e gazetave.

Ngjarja e mbrëmjes së të mërkurës në Elbasan konsiderohet si pjesë e këtij zixhiri hakmarrjes mes dy fiseve.

Tv Klan