Balluku: Të ulim vizitat në sportel dhe të rrisim cilësinë

Mbi 90% e shërbimeve për automjetin në fushën e transportit rrugor tashmë ofrohet online, duke shmangur radhët e pritjes dhe orët e gjata për qytetarët. Gjatë një inspektimi në Drejtorinë e Transportit Rrugor të Tiranës, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se qëllimi ka qenë largimi i qytetarëve nga sportelet, ulja e tarifave dhe cilësia e shërbimeve. Vetëm gjatë vitit të shkuar janë dhënë mbi 760 mijë shërbime për qytetarët e Tiranës.

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ka nisur tashmë punën për përmirësimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të pikave që do të ofrojnë kolaudimin e mjeteve në Tiranë dhe të asaj në Fushë-Prezë.

Së shpejti edhe shërbimi i aplikimeve për xhamat e errët do të ofrohet nga qendra e kryeqytetit, ndërsa janë në proces disa shërbime të tjera për t’i bërë pa dokumente, por vetëm përmes vetëdeklarimit. Shërbime fizike do të mbetet vetëm kontrolli i mjetit, procedura finale për fotografimin dhe hedhjen e firmës për patentën dhe provimi për lejen e drejtimit.

Tv Klan