OSHEE: 175 mijë të tjerë duhet të lidhin marrëveshje

Të gjitha pagesat për debitë e 90 mijë konsumatorëve familjarë dhe biznes i vogël do të ulen automatikisht nga kompania OSHEE, duke zbritur kamatëvonesat që ata kanë, e duke lënë vetëm detyrimin e energjisë që kanë patur të papaguar.

Në një intervistë me Skype për Televizionin Klan, drejtori i Furnizuesit të Shërbimit Universal, Elton Sevrani, sqaron se nuk do të ketë nevojë për këtë kategori që kanë aktmarrëveshje ekzistuese që të shkojnë në sportele, por grafiku i pagesave të mbetura do t’u jepet në momentin që shkojnë për të paguar debinë duke nisur nga muaji Prill.

Elton Sevrani sqaron se për abonentët që kanë aktmarrëveshje kësti mujor ulet me 30% dhe do të duhet të paguhen vetëm 2 mijë lekë çdo muaj, nga 2 mijë e 800 që ishte mesatarja, ndërsa për klientët specialë të shtresave në nevojë, kësti mujor ulet në 1 mijë lekë në muaj.

Për 175 mijë abonentë të tjerë, kompania do të hyjë në marrëveshje gjatë muajve të tjerë nëse ata njohin të paguajnë detyrimin e principalit.

Kamatat do të fshihen deri më Dhjetor të vitit 2019 dhe nuk do të ketë tolerime për pagesat e faturave të muajve të këtij viti. Nëse energjia nuk paguhet do të ndërpritet, sqaron kompania e shpërndarjes.

Në total, OSHEE pritet të fshijë 157 milionë dollarë kamata, ku 50 milionë do të hiqen direkt për abonentët që janë në marrëveshje me kompaninë.

Tv Klan