90 mijë njerëz, ose 3.7% e depozituesve në banka zotërojnë më shumë se gjysmën e depozitave në Shqipëri, të cilat kapin një shifër prej 4.5 miliard Eurosh. Sipas të dhënave të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, 56% e kursimeve në banka janë të përqëndruara në dorën e një pakice të kufizuar individësh.

Për ekspertët e ekonomisë, ky tregues flet për një thellim të pabarazisë në pasuritë e shqiptarëve.

Profesori i Ekonomisë Arjan Kadareja, thotë se përveç peshës së konsiderueshme që zë një pjesë e vogël e popullatës së vendit në formën e llogarive bankare, një hendek mjaft i madh i cili po krijon diferencë mes shtresave, është edhe pabarazia e të ardhurave, e cila llogaritet përmes koeficientit Gini.

Diferenca e madhe në të ardhurat që merr popullsia në Shqipëri është reflektuar te treguesi i rritjes së pagave në sektorin privat. Nga viti 2014 deri në 2018-ën pagat janë rritur vetëm me 2.1%, duke u barazuar me nivelin e inflacionit, në një kohë që rritja ekonomike ka qenë mbi 3%.

Ekspertët e ekonomisë rekomandojnë që politikat duhet të orientohen në rritjen e produktivitetit të punës, edukimit dhe thithjes së investitorëve të huaj.

Në koeficientin Gini të llogaritur nga Forumi Ekonomik Botëror, Shqipëria rezulton në nivelin 38.6%, dukshëm më i lartë se vendet e tjera të rajonit. Sa më e madhe të jetë kjo përqindje, po aq e lartë është edhe niveli i pabarazisë në të ardhurat e një vendi.

Tv Klan