Ahmetaj: 1 mijë familje hyjnë në shtëpitë e tyre këtë vit

Qeveria ka rritur në 340 milionë Dollarë fondin e rindërtimit nga buxheti i saj për këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm do të shtojë edhe 250 milionë Dollarë të tjera për të përfunduar ndërtimin e të gjitha banesave dhe infrastrukturës së dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Gjatë një raportimi në kuvend, ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, tha se bashkë me donacionet e huaja, për këtë vit dhe vitin e ardhshëm buxheti do të akordojë 900 milionë Dollarë për rindërtimin.

Mbi 1 mijë familje që kanë mbetur jashtë do të hyjnë në shtëpitë e tyre brenda këtij viti, premtoi Ahmetaj, ndërsa tha se do të ndërtohen në total 140 shkolla, 40 prej të cilave përfundojnë brenda Nëntorit të këtij viti.

Nga 4 programe rindërtimi kanë nisur të zbatohen 3 programe, ndërsa pritet të nisë ndërtimi i banesave në Laç që janë donacion i qeverisë turke, dhe i atyre në Spitallë, të cilat dhurohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ditën e premte Bashkia e Durrësit do të nisë shpërndarjen e granteve për banesat e dëmtuara që janë të banueshme, ndërsa fondi për dhënien e bonusit të qirasë ka arritur në 29 milionë Dollarë.

Tv Klan