92 përqind e banorëve të Tiranës, banesat e të cilëve janë shpallur të pabanueshme për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit, e kanë marrë bonusin e qirasë. Këtë e bëri të ditur Kryebashkiaku Erion Veliaj në studion e “E Diela Shqiptare”

“Për të gjithë ata që shtëpitë i kanë të pabanueshme më rezulton që 92 përqind e tyre në Tiranë tashmë e kanën marrë bonusin e qirasë. Mund të kemi raste të tjera të cilat në konvikte, që kanë qenë të destinuara për studentë, por që kanë qenë të banuar nga familjarë prej 30 vitesh, që kanë qenë jo vetëm të amortizuar prej kohës, por edhe prej shumë ndërhyrjeve, ne të hënën do të kemi një takim tjetër të Këshillit Bashkiak për të kaluar edhe 230 qira të tjera. Kështu që për strehimin provizor, kjo është gjetja më e mirë.

Kryebashkiaku shpjegoi se kjo ishte gjetja më e mirë, mbi të gjitha sepse i kthen këto familje menjëherë në normalitet.

Pse them që është gjetja më e mirë? Nuk na kushton që bashkë me vullnetarët ne t’i mbajmë hapur palestrat dhe qendrat e emergjencës, por shumica prej nesh e di që në momentin që të prishet rutina, mos ta kesh rutinën tënde, pra vendin ku shkon në tualet, ku lan dhëmbët, ku bën dush, kafen e mëngjesit. Pra një ditë të të prishet terezia luan mendsh. Kështu që menduam që pagesa e qirave të plota, 100 përqind, për 1 vit, jo vetëm që na jep kohë për të marrë vendime të rindërtimit apo riparimit, por i kthen menjëherë në normalitet këto familje. Pse? Sepse je pak a shumë në të njëjtën lagje, pra shumica kanë marrë qira tek pallati përballë. Do të thotë që fëmija vazhdon të njëjtën shkollë, ti shkon tek e njëjta punë, i çon fëmijët tek e njëjta çerdhe apo kopsht, etj, pra nuk e ke hequr prizën e jetës për t’u ç’instaluar në një kohë të gjatë në qendrën e emergjencës e më pas për t’u instaluar kur të bëhen shtëpitë e reja”.

Ndërkohë Kryebashkiaku theksoi se gjatë kësaj kohe, qeveria dhe bashkia do të kenë kohën e mjaftueshme për të menduar për banesat e reja, në 3 lagje të reja.

“Pra je futur menjëherë në normalitet, teksa i ke dhënë kohë qeverisë dhe bashkisë të mendojë për banesat e reja, të cilat do të jenë kryesisht në 3 lagje, në Kombinat, tek Uzina Autotraktorëve dhe në fund të rrugës 5 Maji dhe sigurisht pastaj do të ketë edhe ndërhyrje ndoshta pak më të vogla kur vjen puna tek shtëpitë në fshat”./tvklan.al