93 mijë punonjës në sektorin e turizmit presin vaksinimin



93 mijë punonjës në sektorin e turizmit presin vaksinimin

19:50 11/04/2021

Shoqata e turistëve: Procesi të nisë shpejt që të jemi gati për sezonin

93 mijë punonjës të sektorit të turizimit janë duke pritur lajmërimin për të nisur procesin e vaksinimit. Kreu i shoqatës së hoteleri-turizmit Zak Topuzi, thotë se deri më sot nuk u ka shkuar zyrtarisht një datë se kur do të nisë ky proces, në mënyrë që të përgatiten edhe listat me emrat punonjësve që do të vaksinohen, por kërkon që procesi t’i paraprijë muajve të Verës në mënyrë që të shpëtohet sezoni për turizmin bregdetar.

“Nuk kemi ende një datë. Presim që të nisë procesi të paktën të shpëtohet turizmi bregdetar në Qershor, Korrik dhe Gusht”.

Për turizmin kulturor dhe atë të qyteteve, shpresat janë të pakta. Operatorët kërkojnë që faljet e taksave vendore të marra si nisma nga disa bashki të përfshijnë të gjithë bizneset e këtij sektori dhe jo vetëm ndërmarrjet e vogla.

“Për turizmin gjithëvjetor nuk e dimë, dhe asgjë nuk është e qartë nëse vaksina do të ndihmojë apo jo. Minimalisht uljet e taksave dhe faljet të jenë gjithëpërfshirëse. Ne na ka ardhur taksë për ndërtesën edhe kur kemi qenë të mbyllur”.

Edhe pse disa kontrata janë të mbyllura, ato janë pa penalitete dhe turistët mund t’i kancelojnë në çdo kohë. Situata e paqartë në të gjithë globin ka bërë që operatorët e këtij sektori të besojnë se ky vit do të dominohet sërish nga turistët shqipfolës.

“Ka shumë paqartësi, mendoj se dhe këtë vit vendet e Ballkanit dhe shqipfolësit do të jenë furnizuesit kryesorë të turizmit”.

Sektori i turizimit në Shqipëri është një ndër më të prekurit nga pandemia e Covid-19. Humbjet e një viti më parë kapën vlerën e 1 miliard Eurove.

Tv Klan







Të ngjashme