Programi i Kombeve të Bashkuara për luftën kundër HIV/AIDS, UNAIDS ka njoftuar se sipas të dhënave të vitit 2017, 75 për qind nga numri i përgjithshëm i të prekurve me HIV e dinë që janë të infektuar me virus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rezultatet e raportit të ri të UNAIDS tregojnë se testimet me HIV si dhe trajtimi i saj kanë ndihmuar në zbulimin e një numri më të madh të personave që jetojnë me këtë virus.

Raporti i OKB-së thekson se vitin e kaluar në botë rreth 36,9 milionë njerëz kaneë jetuar me HIV, prej të cilëve 21,7 milionë janë trajtuar.

Në të njëjtën periudhë rreth 1,8 milionë persona janë infektuar me virusin, ndërsa 940 mijë kanë vdekur nga AIDS-i.

Sipas rezultatit të raportit të UNAIDS-it për vitin 2017, 75 për qind nga numri i përgjithshëm i të prekurve nga HIV, e kanë ditur se janë të infektuar, ndërsa në vitin 2015 ky numër ishte 67 për qind.

Është brengosës fakti se madje 9,4 milionë njerëz në botë fare nuk kanë informacion se janë të infektuar me virusin, kështu që UNAIDS apelon që këta njerëz urgjentisht të bëjne testin për HIV dhe të fillojnë me trajtimin./AA