Banorët në Kiev mirëpritën vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për të miratuar një paketë legjislative prej 95 miliardë dollarësh që ofron ndihmë sigurie për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

“Kjo ndihmë vjen me vonesë. Me vullnetin e Zotit, Senati do të miratojë projektligjin, në mënyrë që Ukraina të rimarrë forcat e saj dhe të luftojë kundër Rusisë.”

Megjithatë, disa banorë të tjerë thonë se ndihma nuk është e mjaftueshme, por lehtëson Kievin i cili ka më shumë se dy vite që lufton kundër forcave ruse.

“Në pamje të parë, 61 miliardë dollarë mund të mos duken shumë, por na jep një shans për të marrë armë sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të dëbuar pushtuesit rusë nga Ukraina. Në dëshirojmë që lufta të marrë fund dhe po bëjmë gjithcka që mundemi.Ukraina është e fortë dhe po bën gjithcka që është e mundur, Ukraina do të përfitojë nga këto armë.”

Senati amerikan do të fillojë shqyrtimin e projektligjit të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve të martën, ku miratimi i tij është thuajse i siguruar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy reagoi për vendimin duke thënë se me këtë vendim “SHBA do të shpëtojë mijëra jetë” ndërsa Shefi i Këshillit Evropian të BE-së, Charles Michel tha se vota e SHBA-së i dërgon një mesazh të qartë Kremlinit se ata që besojnë në lirinë dhe kartën e OKB-së do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe popullin e saj.

Klan News