Nxënës dhe vullnetarë i bashkohen aksionit për mbjelljen e 1000 pemëve në Vaqarr

Me rastin e 97-vjetorit të themelimit të institucionit të Shërbimit Pyjor Shqiptar, nxënës të shkollës së Lalmit, vullnetarë të “Qendrës Rajonale Rinore Tiranë”, punonjës të Bashkisë së Tiranës, si dhe banorë të zonës, mbollën sot 1000 fidanë të rinj në Parkun e Liqenit të Vaqarrit. Aksionit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se përvjetori i krijimit të Shërbimit Pyjor është tregues i vëmendjes që ka pasur Tirana ndaj pemëve, që në fillimet e saj si kryeqytet.

“Iu bashkova skuadrave të Vaqarrit, sidomos shkollës së Lalmit, që kishte vendosur të festonte 97-vjetorin e Shërbimit Pyjor. Tirana mbush 100 vjeç, Shërbimi Pyjor 97 vjeç; do të thotë se në fillimet e kryeqytetit dhe të shtetit tonë kemi pasur një vëmendje ndaj natyrës, ndaj së bukurës, një vëmendje ndaj paqes me mjedisin. Qartazi nuk e ruajtëm këtë. E filluam kryeqytetin dhe shërbimin pyjor para 97 dhe 100 vjetëve, por dashurinë për natyrën nuk e mbajtëm”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se çdo brez ka detyrimin që të kujdeset për t’i lënë gjeneratës së ardhshme një pajë sa më të mirë. “Sa gëzohem kur i shoh fëmijët sot që po na ndihmojnë të mbjellim kodrën e Lalmit, e cila që siç duket ka pasur erozion, toka ka rrëshqitur prej faktit që u prenë pemët. Nëse nuk kemi kuptuar formulën që çdo brez ka për detyrë t’i lërë një faturë sa më të ulët dhe një pajë sa më të mirë dhe të shtrenjtë brezit tjetër, do të thotë s’kemi bërë asgjë. Ndaj, jam këtu për ta inkurajuar këtë sipërmarrje për të mbjellë pemë. Më vjen mirë që sot mbjellim disa mijëra fidanë pishash, në një vend ku komuniteti në vitet ’90 i preu dhe – siç e shikoni – ka marrë me vete një pjesë të madhe të kodrës, duke iu afruar shtëpive, për të rikuperuar atë që mundemi. Shpresoj që 97 apo 100 vitet e ardhshme të Shërbimit Pyjor t’i gjejë ata me aleatë në gjithë popullatën”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se mbjellja e pemëve nuk duhet të jetë monopol vetëm i institucioneve shtetërore dhe ftoi qytetarët e bizneset që t’i bashkohen kësaj nisme, duke kontribuar për një mjedis më të pastër dhe më të gjelbëruar. “Shërbimi Pyjor nuk mund të ketë monopolin e gjelbërimit apo të mbjelljeve, nëse secili prej nesh nuk e kupton që ky është misioni ynë i përbashkët. Ndaj, mezi pres që djemtë dhe vajzat që më ftuan sot për të festuar në këtë ditë me mbjellje pemësh, të jenë ata që do të jenë aleatët kryesorë të një shërbimi pyjor, i cili gjen një mbështetje në popullatë si kurrë më përpara këto 100 vjet. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës, stina e mbjelljeve është tani, nga tani deri në fund të marsit-fillim prilli, pra koha më shi, sa na lag e na bën qull, aq është edhe momenti ideal se ka ardhur stina e mbjelljeve”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se asnjëherë nuk është vonë për të bërë paqe me natyrën, dhe për t’iu rikthyer asaj tradite që themeloi Shërbimin Pyjor 97 vite më parë./tvklan.al