99 % e zjarreve të qëllimshëm, 4-fish më shumë se në 2018-n

99 % e zjarreve të qëllimshëm, 4-fish më shumë se në 2018-n

16:03 09/09/2019

Çako: Tendencë kriminale, si vendosja e tritolit në shtylla

Viti 2019 shënoi katërfishin e vatrave të zjarrit të regjistruara në vend, krahasuar me vitin 2018. Në një intervistë për Televizionin Klan, Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako thotë se vetëm për muajt Korrik, Gusht dhe fillim Shtatori janë regjistruar 324 raste zjarri.

“Janë dëmtuar në tërësi 1935 hektarë. Një dëm i konsiderueshëm është edhe djegia e 7682 rrënjë ulliri. Rastet që kanë pasur pasoja të mëdha është rasti i djegies së kodrës mbi Shëngjin, në Lezhë”.

Sipas Çakos, qarqet me të prekur kanë qenë Shkodra, Elbasani, Vlora, Dibra dhe Fieri. Në 99 % të rasteve zjarret kanë qenë të qëllimshme. Kreu i Emergjencave thotë se janë akte kriminale të ngjashme me vendosjen e tritolit në shtyllat elektrike.

“Pothuajse në 99% të zjarreve janë të vëna për qëllime të ndryshme, duke filluar nga interesi për të hapur kullota. Në disa raste ka patur dhe tendenca kriminale të lidhura me hakmarrje të caktuara, pse jo dhe politike, të ngjashme me vendosjet e eksplozivëve në shtyllat e tensionit të lartë. Rasti i Delvinës është tipik i tillë”.

Në të gjitha rastet, reagimi ligjor ndaj autorëve të zjarreve mbetet e ulët. Këtë vit, ndonëse kishte dhjetëra të shoqëruar për zjarrvënie të qëllimshme, vetëm 6 persona u ndoqën penalisht.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT