91 persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit këtë fundjavë, në të gjithë vendin, ndërkohë që janë sekuestruar armë zjarri, lëndë eksplozive dhe municione luftarake, si dhe lëndë narkotike e mallra kontrabandë.

Arrestimet janë bërë në kuadër të të zbatimit të masave të përcaktuara në “Planin e masave”, për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë fundjavës.

Gjatë këtij aksoni, i cili përfshin të gjitha strukturat e Drejtorive të Policisë në Qarqe dhe Forcat e Lëvizshme Operacionale, Policia Rrugore falë përdorimit të dragerave dhe radarëve, arrestoi në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi,  32 drejtues mjetesh.

Ndërkohë që janë pezulluar 78 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara në qendra të banuara, për alkool, për semafor e kontroll teknik. Ndër to 64 raste janë ndëshkuar për komision, si dhe janë bllokuar 16 automjete për mungesë dokumentacioni.

Policia e Shteti bën me dije, se 6 persona janë arrestuar për armëmbajtje pa leje, 15 persona në flagrancë për vjedhje,  6 persona për narkotikët, krimin ekonomik e trafìqet e paligjshme si dhe janë kapur 12 persona në kërkim.

7 janë shtetasit të ndaluar për vjedhje të energjisë elektrike e ndërtim pa leje, 8 ndaluar për krime ndaj personit, kundërshtim të punonjësit të policisë, përndjekje, si dhe 5 persona për dhunë në familje.

Aksioni i Policisë së Shtetit për rritjen e parametrave të sigurisë në vend, synon mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë, goditjen e trafikut të lëndëve narkotike e trafìqeve të paligjshme, parandalimin e aksidenteve rrugore, etj./tvklan.al