Shënohen 5 viktima të tjera nga Covid

Tre qytetarë nga Tirana, një nga Vlora dhe një nga Lezha nuk kanë mundur dot ta fitojnë betejën me koronavirusin në 24 orët e fundit, duke e çuar në 2,553 numrin total të viktimave që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë në raportin e saj ditor mbi situatën pandemike në vendin tonë bëri të ditur se ata ishin moshave nga 64 deri në 76 vjeç.

Numri i pacientëve të shtruar në spitale ka mbetur i njëjtë me një ditë më parë. Sipas autoriteteve shëndetësore në dy spitalet Covid që funksionojnë aktualisht në Tiranë po marrin trajtim 195 pacientë, nga të cilët 13 janë në gjendje të rëndë.

Problematike paraqitet situata sa i përket infektimeve, të cilat këtë të martë shënuan një dyfishim në raport me rastet e reja të raportuara të hënën. 

Kështu, nga 5,613 testime kanë rezultuar pozitivë, 995 qytetarë, ose thënë ndryshe 1 në çdo 5 persona të dyshuar ka qenë I infektuar me virusin Covid-19. Tirana kryeson sërish listën e infektimeve ditore me 283 raste dhe pas saj vjen Shkodra me 64 raste, Durrësi 54 raste, Fieri 48 raste dhe Lushnja 41 raste, ndërsa bashkitë e tjera kanë një numër më të vogël infektimesh.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 1010 qytetarë. Nisur nga situata pandemike, Ministria e Shëndetësisë i ka bërë apel edhe një herë qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve.

Tv Klan