Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesat e Fredi Belerit kundër vendimeve të Gjykatës së Posaçme, Gjykatës së Apelit dhe asaj të Lartë për mbajtjen e tij në burg duke i legjitimuar masat e dhëna ndaj tij.
Me shumicë votash, togat e zeza të Kushtetueses argumentojnë lidhur me pretendimin për kufizimin e lirisë personale në cënim të parimit të proporcionalitetit se kjo masë është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të Fredi Belerit.
“Gjykata vlerësoi gjithashtu se masa e sigurimit personal “arrest në burg” e vendosur nga gjykatat e zakonshme nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.”
Sa i përket pretendimit për cënimin e të drejtës për t’u zgjedhur, Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “arresti në burg” pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës.
“Dhe për pasojë, masa e arrestit përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Sidoqoftë, duke qenë se Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, Gjykata me shumicë votash, nuk gjeti cënim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.”
Lidhur me pretendimin për cënim të parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të rëndimit të pozitës si i pandehur, togat e zeza të kushtetueses vlerësojnë se përforcimi i arsyetimit nga gjykata më e lartë, nuk rëndon masën e sigurimit në ngarkim të Belerit.
“Nuk përbën rëndim të pozitës së tij. Prandaj Gjykata njëzëri nuk gjeti cënim të parimit të prezumimit të pafajësisë në rastin e zotit Beleri.”
Ky vendim i Kushtetueses vjen pas dënimit të Fredi Belerit me 2 vjet burg nga Gjykata e Posaçme për blerje votash në zgjedhjet lokale të 14 Majit të vitit të kaluar.
Tv Klan