Dominimi i republikanëve në Kongres mori fund më 6 Nëntor, kur zgjedhjet e mesit të mandatit prodhuan një rezultat interesant. Nga njëra ana barazpeshohen forcat e nga ana tjetër ngrihen skenare për përplasje mes demokratëve dhe republikanëve në Dhomat e Kongresit.

Por a do të mundet Presidenti Donald Trump të qeverisë i qetë me një Dhomën e Përfaqësuesve kundër?

Kryetarja e grupit të demokratëve në Dhomën e Ulët, njëherësh kandidatja kryesore për drejtimin e saj, Nancy Pelosi, shtriu dorën për bashkëpunim dhe frymë dypartiake në Kongres.

“Do të përpiqemi për bashkëpunim dypartiak. Ne besojmë se kemi përgjegjësinë të kërkuar një terren të përbashkët.”

Fjalimi i Pelosit u përshëndet menjëherë nga presidenti Trump, i cili nuk i kurseu lëvdatat për të dhe la të hapur mundësinë e bashkëpunimit.

“Ndoshta kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e vlerësoj shumë, ajo punon seriozisht, e vlerësoj shumë për atë që ka bërë dhe ka arritur, shpresoj të punojmë së bashku për të vijuar punën për popullin amerikan.”

Analistët politikë në SHBA megjithatë shfaqen skeptikë se bashkëpunimi mes palëve mund të mos zgjasë shumë, çka do të thellonte përçarjet e do të bllokonte vazhdimësinë e Kongresit.

Tv Klan