“A do ia festojmë dot ditëlindjen Aleas ne? Nuk do t’ia festojmë dot, sepse do të na kujtohet ngjarja tjetër”.

Janë këto fjalët e bashkëshortit të 25-vjeçares Rexhina Debrova, nënës së re e cila humbi jetën në spitalin e Elbasanit, pas lindjes.

Familjarët e së ndjerës, me foshnjen e porsalindur në duar dolën sot para Gjykatës së Elbasanit për të protestuar kundër lirimit të mjekëve Mehmet Ibaj dhe Niko Thana.

“Këta janë kriminelë”, “duhet të paguajnë”,

ishin disa prej akuzave që ata lëshuan në drejtim të mjekëve, të cilët i bëjnë fajtorë për vdekjen e 25-vjeçares.

Megjithatë, gjykata vendosi që t’i lerë në detyrim paraqitje mjekun kardiolog dhe reanimatorin, deri në përfundim të ekspertimit mjeko-ligjor.

Ibaj dhe Thana u arrestuan pas vdekjes së nënës së re, për mjekim të pakujdesshëm. Ata i mohuan akuzat dhe thanë se Debrova ndërroi jetë pasi pësoi komplikacion postoperator.

Të martën, në protestë dolën edhe mjekët e spitalit të Elbasanit që kërkuan lirimin e kolegëve.

/tvklan.al