Pjerin Ndreu konfirmoi në studion e ABC News se është një nga emrat, i cili do kandidojë për Bashkinë e Lezhës. Ai deklaroi gjatë intervistës me gazetaren Juli Xhokaxhi se është dakordësuar me strukturat e Partisë Socialiste në Lezhë që tëjetë kandidat në zgjedhjet e 30 Qershori.

Megjithatë, kjo nuk është ende zyrtare. Edhe pse ka pëlqime brenda qendrës së PS-së, Ndreu tha se kandidati zyrtar për bashkinë e Lezhës do të shpallet një muaj para zgjedhjeve.

Juli Xhokaxhi: 

Zgjedhjet e pushteti lokal të cilat nuk i di në fakt nëse do të bëhen?

Pjerin Ndreu: 

Unë e di se do bëhen.

Juli Xhokaxhi: 

Ti e di se do bëhen, por nuk e di si do bëhen?

Pjerin Ndreu: 

Data e dasmës është ndarë.

Juli Xhokaxhi: 

Vjen apo s’vjen dhëndri të marrë nusen është tjetër çështje?

Pjerin Ndreu: 

Ka kandidatë të tjerë që mund të hyjnë.

Juli Xhokaxhi: 

Kandidatë të pavarur? Apo do ngrihen forca të tjera politike?

Pjerin Ndreu: 

Nuk e di se kush mund të jenë, por kandidatë do ketë.

Juli Xhokaxhi: 

Është folur shumë që ju do jeni kandidat për Lezhën. E konfirmoni?

Pjerin Ndreu: 

Besoj se po. Akoma nuk është përfundimtare, por me strukturat e PS në Lezhë jemi dakordësuar dhe ka pëlqime dhe në qendër që të jem unë kandidati për zgjedhjet e 30 Qershorit. Për shumë arsye. PS ka 3 mandate që nuk e drejton Bashkinë e Lezhës. Jo për faji e saj, por për një farë kombinacioni që kemi pasur me LSI. Ne e kemi fituar në 2007-n me PD-në, pastaj ata gjetën strehë te PD dhe ikën atje. Pastaj u kthyen prapë te ne. Ne si PS kemi tre mandate që nuk e drejtojmë, çka ka rezultuar fatale për jetën shoqërore të Lezhës. Kanë destabilizuar komplet rolin menaxherial të Bashkisë, duke e kthyer në një bashki rrëmujë me një menaxhim katastrofë.

Juli Xhokaxhi: 

Më thoni si do ndiheni pa kundërshtar përballë?

Pjerin Ndreu: 

Unë mendoj se do ketë kundërshtar edhe nga PD. Unë jam përgatit dhe vazhdoj të përgatitem për kundërshtar dhe për të fituar me kundërshtar. Nëse ata vendosin vetë ose me urdhër partiak të dalin nga loja kjo nuk është çështja ime.

Juli Xhokaxhi: 

Kur zyrtarizohet? Në Kongres?

Pjerin Ndreu: 

Të shtunën nuk zyrtarizohet, por zyrtare bëhet një muaj para zgjedhjeve.

/abcnews.al