A është i gatshëm Ilir Meta të heqë dorë nga posti i tij si President në këmbim të një posti qeveritar? Kësaj pyetje të bërë nga gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, Presidenti Meta iu përgjigj duke thënë ai është i gatshëm të sakrifikojë mandatin në krye të shtetit në këmbim të marrëveshjeve politike që garantojnë stabilitetin e vendit.

Megjithatë, gjatë komunikimit të përjavshëm me gazetarët, Meta garantoi se institucioni i drejtuar prej tij do të vazhdojë të jetë kështjellë e lirisë deri në vitin 2022, kur dhe përfundon mandati i tij si president.

Kur mazhoranca ngriti komision për shkarkimin tuaj, ju u përbetuat se do dilni nga zyra e kreut të shtetit në Korrik 2022. Nëse në zgjedhjet e 2021 ish-partia juaj do fitonte zgjedhjet, apo nëse aleatët e kësaj partie, PD, do të fitonte zgjedhjet dhe do të donin të bënin koalicion, do të ishit i gatshëm ju të linit mandatin e presidentit për një post të rëndësishëm qeveritar?

Presidenti Ilir Meta: Unë prej kohësh kam qenë i gatshëm që për hir të marrëveshjeve të cilat zgjidhin legjitimitetin e institucioneve të vendit, të lija dhe postin e Presidentit vetëm të gjendet një zgjidhje afatgjatë për vendin. Dua t’ju siguroj pa hyrë në komente, në të gjitha rastet unë premtimin që kam bërë që ky institucion deri në 24 Korrik të vitit 2022 do të jetë kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, të lirisë, demokracisë dhe të ardhmes europiane të vendit, këtë do ta mbaj në të gjitha mënyrat. Për këtë institucion duhet të jemi të qetë. Por ky s’është problemi i vetëm, sepse ky institucion dhe gjatë këtyre viteve ka qenë një institucion që e ka mbrojtur Kushtetutën në mënyrën më të vendosur dhe ka bërë gjithçka që vendi të mos përplaset në fund të greminës, edhe pse ka marrë tatëpjetën prej kohësh. Përsa i takon çështjes së zgjedhjeve, për mua ka vetëm një gjë rëndësi: Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse të gjithë kushtet e BE dhe domosdoshmëria e vendosjes së legjitimitetit të plotë në vend të të gjithë institucioneve, e kanë këtë një kërkesë ultimative.     /tvklan.al