Mjeku infeksionit Pëllumb Pipero u infektua me Covid-19 rreth 1 javë pasi bëri dozën e parë të vaksinës anti-Covid.

Edhe pse tashmë e ka kaluar dhe trupi ka krijuar imunitet natyral ndaj virusit, Pipero shprehet se do të bëjë edhe dozën e dytë.

Për këtë çështje ka diskutime të ndryshme, megjithatë në një lidhje me Skype për Klan News, Pëllumb Pipero tregon ndryshimin mes imunitetit natyral dhe imunitetit nga vaksina, dhe pse ka vendosur që të bëjë dozë e dytë të Pfizer.

Mirela Milori: U mësua që u infektuat pasi bëtë vaksinën. Mund të na i shpjegoni pak këtë moment. Në fakt ju kishit shenja, keni qenë asimptomatik apo çfarë ka ndodhur?

Pëllumb Pipero:  Ky është një nga rastet e veçanta por jo të vetmet që ndodh pas marrjes së dozës së parë të vaksinës. Në vendin tonë ndoshta është rasti i parë tashmë i konfirmuar, por në vendet e tjera ka raportime të shumë rasteve si rasti im. Unë duhet të jem infektuar 9 ose 10 pas marrjes së dozës së parë të vaksinës. Këtë e dëshmon fakti që në analizat serologjike të bëra ditën që kam rezultuar pozitiv kisha antitrupat spajk, ato që janë specifike nga stimulimi i vaksinës, jo në vlera të larta por gjithsesi të mjaftueshme për të më dhënë një lloj sigurie dhe qetësie. Arsyeja dhe vendi ku ka ndodhur është e vështirë ta gjej, unë kam qenë mjaft i kujdesshëm njësoj si kolegët e mi, por bluzat e bardha janë shumë të ekspozuara dhe mund të ndodhë që pas dozës së parë të infektohen sikundër dhe qytetarët e tjerë. Në botë raportohen edhe raste të rralla shumë dhe pas dozës së dytë ndonjëherë. Sepse pas dozës së parë nuk arrihet imunizimi i plotë. Duhet së paku 3 javë që të jetë një mbrojtje 50-60% ndoshta dhe pas dozës së dytë mbrojtja është deri 95% të paktën e vaksinës që kam aplikuar unë apo që po përdoret aktualisht në Shqipëri. Por besoj që isha me fat që e kisha  bërë dozën e parë sepse kisha një mbrojtje relative së paku.

Mirela Milori: Do ta merrni dozën e dytë të vaksinës?

Pëllumb Pipero: Edhe për dozën e dytë të vaksinës, mendimet nga kolegët tanë shkencëtarë dhe studiues në botë janë të ndara. Një pjesë e konsiderueshme e vlerësojnë të domosdoshme dozën e dytë të vaksinës sepse kështu mund të krijohet imuniteti i plotë i krijuar nga vaksina. Imuniteti që vjen përmes vaksinës nuk është i njëjtë me atë që vjen përmes virusit apo përmes imunitetit natyral që krijon pas kalon Covid-19. Sepse studimet dëshmojnë që vaksina jep një imunitet më të gjerë në aspektin e përfshirjes edhe të varianteve të reja të virusit qërkulluese, veçanërisht atij anglez apo atij afrikan. Ndërkohë që imuniteti natyral i fituar nga rënia në kontakt me virusin është më i plotë por vetëm për Sars-Cov 2, edhe pse genoma e viruseve të reja në përbërje të saj ka një përqindje të konsiderueshme mbi 70-75% të njëjtë. Në këtë aspekt them që edhe personat që kalojnë imunitet natyral, pavarësisht kohëzgjatjes së tij, kjo vlen për t’u diskutuar dhe vlerësuar në kohë, një mbrojtje relative e kanë edhe ndaj varianteve të reja apo shtameve të reja. Bazuar në këshillat apo orientimet dhe studimet e kolegëve të huaj, do ta bëj dozën e dytë të vaksinës. Besoj do ta bëj në fillim të javës që vjen, edhe pse do thosha debatet apo mendimet janë të dyzuara. /tvklan.al